Politike

Një ditë pas ndërhyrjes për heqjen e apandesitit Rama del nga spitali: Do kthehem shpejt mes jush

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka lënë në orën 06:00 të mëngjesit ambientet e Reanimacionit të QSUT-së pas operacionit të suksesshëm një ditë më parë për heqjen e apandesitit me laparoskopi.

Kreu i qeverisë raportohet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por protokolli mjekësor e bëri të nevojshëm qëndrimin e tij 24 orë në spital.

“Një falenderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim.

Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falenderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre.

Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj.

Ju dua shumë, Edi”- shkroi Rama në Facebook.

Kryeministri pritet të qëndrojë në shtëpi dhe 2-3 ditë të tjerë përpara se të rinisë nga puna, teksa fushata zgjedhore po hyn në ditët më të forta të saj.

Tashmë edhe për shkak të detyrimit nga mjekët për pak ditë ai do të duhet të ndjekë zhvillimet në regjim shtrati për t’u rikthyer sërisht në takimet me mbështetësit në kuadër të fushatës elektorale për garën e 14 majit.

Sipas Zyrës së Shtypit, operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.

Në një deklaratë për mediat, Shefi i Kirurgjisë në QSUT Arben Gjata u shpreh se gjendja post operatore e kryeministrit ishte stabël duke shtuar se ai mund të rikuperohet plotësisht për 3 ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë