Politike

PL, shkresë KQZ-së: Drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ është deputeti Sali Berisha

Gazeta Si – Përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari, i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një shkresë me të cilën e informon se drejtuesi i koalicionit opozitar është deputeti Sali Berisha.

“Në emër të koalicionit ‘Bashkë fitojmë’, si edhe të partive përbërëse të tij,  ju informoj për efekt të pasqyrimit korrekt të të dhënave të koalicionit, në fletën e votimit sipas parashikimeve të nenit, 98 të Kodit zgjedhor, se drejtues i koalicionit është deputeti Sali Berisha”, thuhet në shkresën që mban firmën e përfaqësuesit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari.

Me publikimin e modelit për fletën e votimit për kandidatët për Këshillat Bashkiakë, përbri numrit një në listë që është koalicioni “Bashkë Fitojmë”, mungonte emri i drejtuesit të koalicionit.

Ky detaj u përdor nga socialistët të cilët nuk ngurruan që gjatë takimeve elektorale të përmendin që “asnjë demokrat nuk do ta donte emrin e Ilir Metës si drejtues në fletën e votimit.”

Ndërkohë në marrëveshjen për krijimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” specifikohet se drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike, e përfaqësuar nga organet drejtuese të saj.

Megjithatë, shkresa e drejtuar KQZ-së mban vulën dhe firmën e Endrit Braimllarit, Sekretarit Organizativ të Partisë së Lirisë.

Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ilir Rusmali, teksa po komentonte shkresën e depozituar në KAS, ku thuhej se drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ishte Sali Berisha, tha se mos është shkarkuar Meta nga posti i kryetarit të PL-së.

“Ne u trembëm Menduam mos keni bërë mbledhje urgjente në PL. Është shkarkuar Ilir Meta dhe është zgjedhur drejtues Sali Berisha. U trembëm në fakt”,- tha Rusmali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë