Politike

Rama dhe Beci në Shkodër: Po konkretizohet projekti i moleve turistike. Bashkia na pengon

Nga Gazeta ‘SI’ – Në takimin e tij në qytetin e Shkodrës, kryeministri Edi Rama, bashkë me kandidatin socialist Benet Beci prezantuan projektin e moleve turistike.

Beci tregoi se ky projekt ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit konkret është një mundësi e re për zhvillimin turistik të zonës, me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.

“Ky është një nga tre molet. Një është në Zogaj, këtu është i Shirokës, kemi dhe atë të Shkodrës. Është e gjitha e lundrueshme sipas nivelit të ujit. Pjesë e projektit janë tre varka. Po kështu është edhe në Zogaj edhe në Shkodër. Kështu që kemi tre stacione lundrimi. Tani do fillojnë dhe varkat. Duhen iniciuar nga Bashkia.” – shpjegoi kandidati për kryetar bashkie i Shkodrës Benet Beci.

Një tjetër projekt me rëndësi të madhe është transformimi i hyrjes së Shkodrës, për të cilën Rama tha se do i japë qytetit një pamje krejtësisht ndryshe dhe do i ngjajë Vlorës pasi do të sjellë numër të lartë turistësh.

Në takimin që pati me qytetarët e Shkodrës, Rama përmendi disa projekte të kryera nga qeveria si Boga e pastër ndërsa tregoi se Thethi që drejtohet nga demokratët, sipas tij është e mbushur me plehra.

Rama u shpreh se nuk mund të bëjnë asnjë ndërhyrje në Shkodër pasi nuk marrin leje nga Bashkia. Kreu i qeverisë përmendi rrugën e Thethit, teatrin Migjeni, muzeun Marubi, restaurimin e stadiumit që i kanë kryer pa ndihmën e Bashkisë por i duhet leje për ndërhyrje të rëndësishme si ujësjellësi i Shirokës dhe i Zogajt, projekte që janë gati.

 “Financojmë në çdo qytet pallate banimi që vishen me kapod dhe kanë një hidroizolim shumë më të mirë sesa pallate të zakonshme dhe kjo ul konsumin e energjisë. Janë 5-6 të tjerë si ky që s’fillojnë dot punën se s’na jep lejen bashkia. Ne kemi bërë çfarë kemi mundur dhe jo çfarë kemi dashur. Muzeun kombëtar të njërës prej krenarive më të mëdha të kombit, dinastinë Marubi e kemi bërë ne. Dhe, atë thesar e kemi gjetur nëpër thasë dhe bodrume të lagështisë që do i hanin ato filmat e vjetra të Marubit. Ne jemi për punën dhe nuk shohim majtas djathtas, ne i gjejmë punës njeriun, jo punës njeriun. Ata kanë 31 vjet që e marrin Shkodrën pa kushte, nuk kanë ditur të bëjnë 1 Bashki shembull.”- tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë