Bota

Brittney Griner në lot, flet për burgosjen e saj në Rusi: Shpëtova falë disiplinës

Basketbollistja amerikane, ylli i NBA-së për femra, u arrestua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës shkurtin e kaluar dhe më pas u "këmbye" me një të burgosur rus në Shtetet e Bashkuara, tregtarin e armëve Viktor Bout

Gazeta Si – Pas gati katër muajsh liri, basketbollistja amerikane Brittney Griner foli për herë të parë me njëqind gazetarë në një konferencë shtypi të organizuar nga partnerja e saj, Cherelle, e cila u bë menjëherë prekëse, sepse ajo ishte e para që shpërtheu në lot.

“Unë nuk jam e huaj sa i takon fatkeqësive”, tha Griner nga holli i “Footprint Center”, shtëpia e ekipit të saj të ri, Phoenix Mercury dhe Phoenix Suns të NBA për femra.

“Në jetë, pak a shumë të gjithë përballen me fatkeqësi. Kjo ishte goxha e madhe. Unë thjesht u mbështeta te disiplina ime, puna ime e palodhur, për ta kaluar atë”.

Ajo tha se aftësitë e saj si sportiste e ndihmuan atë të përballonte qëndrimin si e burgosur në Rusi. “Ti stërvitesh kaq shumë, gjen një mënyrë për të menduar, thjesht ul kokën dhe vazhdon dhe vazhdon”, tha ajo.

“Nuk mund të dorëzohesh kurrë dhe ky ishte shpëtimi im; kurrë mos qëndroni në vend, mos u fokusoni shumë në të tashmen dhe mos shikoni përpara për atë që do të vijë”.

Më pas, ajo tha se nuk do të luajë më jashtë vendit dhe foli për një tjetër të burgosur amerikan në Rusi, gazetarin e “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është ndaluar javët e fundit.

Griner tha se ekipi i saj ka qenë në kontakt me familjen e Gershkovich: “Askush nuk duhet të jetë në atë gjendje”.

Të burgosurve të tjerë amerikanë në burgjet ruse, përfshirë Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan, emrat e të cilëve ishin të shënuar në bluzën e saj, Griner u dërgoi një mesazh: “Mos u dorëzoni”.

E liruar në dhjetor 2022, basketbollistja u arrestua në shkurt në aeroportin e Moskës, pasi agjentët doganorë gjetën një lëng që përmban një përqindje minimale kanabinoidësh në çantën e saj.

Griner më vonë u dënua me nëntë vjet burg nga një gjykatë ruse, por pas muajsh negociatash – dhe një njoftimi të rrallë publik nga presidenti Joe Biden në lidhje me bisedimet për kthimin e basketbollistes dhe një të burgosuri tjetër në Rusi, Paul Whelan, – marrëveshja me Kremlini u finalizua dhe Shtetet e Bashkuara dërguan tregtarin famëkeq të armëve Viktor Bout përsëri në Rusi në këmbim të Griner.

Griner dhe Bout u shkëmbyen në një hangar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u ulën avionët me të cilët po fluturonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë