Politike

Tallavaja dhe non gratat, dy standardet e Ramës: Buzëhollët s’e kanë dëgjuar Bethovenin deri në fund, s’punoj me ‘non-gratat’

Kryeministri Edi Rama tha se fushata e 14 majit është ndryshe nga të tjerat. Po pse? Sepse nuk ka kundërshtarë konkret. Por precedenti ekziston.

Në zgjedhjet lokale të 2019-s, Rama u fut në garë vetëm me veten, pa asnjë emër kundërshtari.

Rama tha se “bashkitë që drejtohen prej PS-së janë qelibar nga plehërat”, por veçoi Shkodrën siç ka bërë çdo ditë të kësaj fushate, sa kohë që drejtohet nga PD.

“Në të gjitha fushatat kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkret. Duke e parë nga afër bilancin, kemi bërë gjëra të mira në bashki, qytetet janë të pastra, përjashto Shkodrën. Akoma sot vazhdojnë kazanët mbushen me plehëra rrinë me ditë në rrugë. Qytetet sot nuk kanë probleme me ujin e pijshëm, sot mbulojmë më shumë sesa mbulohej përpara ’90-s. Në te gjitha qytetet nuk është refreni ‘do t’ju sjellim ujë’, pjesa më e madhe e ka. Tirana është më e vështira se ka një rritje të madhe të popullsisë. Është shumë e rëndësishme të përmirësojmë bilancin. Nuk është fushatë konfrontuese, kemi preferuar ta mbajmë komunikuese, nuk janë kundërshtarët në sensin e përplasjes. Kemi shumë pak bashki që janë në diskutim,” tha Rama në Wake up.

Rama u shpreh se nuk do të bashkëpunojë me non-gratat.

Ai pati një koment edhe për këngën me ritme tallavaje.  

“Nuk është tallava, është kombinim mes hip hop me muzikën tradicionale. E shijoj shumë edhe tallavanë. Tani këta hundëhollët e buzëhollët që kanë problem me tallavanë, ju siguroj që nuk e kanë dëgjuar kurrë Bethoven nga fillimi deri në fund”, tha Rama.

Pse ka zgjedhur podcast në prag të zgjedhjeve?

“Kisha kohë që e mendoja, por fakti që kam marrë gjithë këtë hov zëri në vesh tregon se njerëzit kanë nevojë të jenë në hapësirën e jetës së tyre ku të mos jenë të imponuar nga imazhi, por të mund të shijojnë një bisedë që zakonisht është më e thellë se sa biseda që bëhet në televizor dhe mua vetë më ka tërhequr për 2 arsye, e para se podcasti sjell më shumë njerzillëk në komunikimin e përditshëm publik dhe ne kemi shumë nevojë për njerzillëk në hapësirën e komunikimit mediatik. Alastair Campbell ka qenë shtysë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë