Politike

Celibashi: PD s’ka sjellë anëtarë në 422 qendra votimi, PL në 75. 10 kandidatë për bashkitë janë dërguar për hetim  

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi në një komunikim me mediat se Partia Demokratike dhe  Partia e Lirisë nuk kanë sjellë anëtarët e komisioneve për disa qendra votimi.

“PSD nuk kanë dërguar komisioner për 415 qendra votimi. PD nuk ka sjellë anëtarët e komisioneve për 422 qendra votimi, PL nuk i ka sjellë në 75 qendra votimi”, tha Celibashi.

Ai nënvizoi edhe njëherë se është kërkuar verifikim i thelluar për 10 kandidatë për kryetar bashkie dhe 28 anëtarë të këshillit bashkiak.

“Për procesin e dekriminalizimit kemi vendosur për të kërkuar verifikim të thelluar prej prokurorisë. Janë 10 kandidatë për kryetar bashkie. Janë 28 kandidatë për anëtar të këshillit bashkiak të cilët janë dërguar për hetim të thelluar. Sipas detyrimit që KQZ i ka bërë publik formularët e vetëdeklarimit për të gjithë kandidatët por edhe emrat e atyre që janë dërguar për hetim të thelluar”, vërejti Celibashi.

Ai tha gjithashtu se në zgjedhje do të votojnë edhe ata që i ka skaduar ID pasi vlefshmëria është zgjatur deri më 31 maj.

Në qendrat e votimit nuk do të lejohen, sipas tij, të qëndrojnë persona që nuk kanë lidhje me procesin e votimit. Në të kundërt, Celibashi tha se do të njoftohet Policia e Shtetit.

“Nëse konstatojnë situata të tilla, do njoftojnë KQZ, zgjedhës që kanë përfunduar votimin, nuk ka asnjë arsye të ligjshme për të qëndruar në këto ambiente. Shpresoj që kjo thirrje të marrë jehonën që duhet, se ata që rrinë kur nuk kanë punë aty, lidhet me interesa të partive politike”, tha Celibashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur një aplikacion ku çdo qytetar mund të raportojë problematikat që vëren në qendrën e tij të votimit, ditën e zgjedhjeve.

Problematikat e raportuara, sipas Celibashit, do të jenë të disponueshme edhe për mediat, të cilat mund t’i ndjekin më pas rastet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë