Sali Berisha është kundër mbështetjes publike të kryeministrit Edi Rama për Presidentin e Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan në vendin e të cilit mbahen zgjedhjet në të njëjtën ditë si në Shqipëri.
“Jam sot këtu për të denoncuar publikisht ndërhyrjen skandaloze të Edi Ramës në fushatën elektorale të vendit mik, Turqisë. Me një mesazh të gjatë që synon t’i adresohet komunitetit të gjerë shqiptar në Republikën e Turqisë, Edi Rama, një armik i vërtetë i votës së lirë, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, u kërkon shqiptarëve, qytetarëve turq të votojnë më 14 maj për presidentin aktual në largim të Republikës së Turqisë. Me këtë rast, duke dënuar këtë ndërhyrje të pafalshme, të palejueshme të një njeriu që nuk respekton asnjë ligj, normë kombëtar, ndërkombëtare, i rikujtoj komunitetit shqiptar në Turqi, duke i shprehur atij nderimin tim më të madh, se njeriu që u bëri thirrje nga Tirana, se për kë duhet të votojnë, është një armik i vërtetë i lirive të qytetarëve shqiptarë, i votës së tyre, i pasurive të shqiptarëve, i ligjeve të vendit”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se, ‘lidhjet personale të Edi Ramës me presidentin Erdogan nuk janë në përputhje me standardet e lidhjeve tradicionale mes dy vendeve tona”.
”Në emër të PD dhe opozitës shqiptare, në respekt të plotë të ligjeve, të Shqipërisë dhe Turqisë, thirrja ime për çdo qytetar turk me origjinë shqiptare është të votojë për liritë e tij, të votojë për dinjitetin e tij, të votojë për një Turqi të ëndrrës së tij dhe të mos ndikohet nga asnjë thirrje e një njeriu që ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij dhe e përdor atë kundër qytetarëve të vendit të tij për varfërimin dhe dëbimin e tyre nga Shqipëria” , tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje