Politike

Rama mbyll fushatën në Tiranë: Demokratët të mos votojnë për ata që janë vulosur si problem i Perëndimit

Në mbyllje të fushatës elektorale në Tiranë, në një tubim në Parkun Olimpik, kryeministri Edi Rama u kërkoi demokratëve të kenë kujdes që të mos votojnë për ata të cilët janë vulosur si problemi i Amerikës dhe Perëndimit.

Ndërsa u shpreh i sigurt për fitoren në Tiranë, Rama tha se 14 Maji është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë.

 “Unë nuk u bëj thirrje atyre që të bashkohen me Partinë Socialiste. Normalisht mirë do ishte për atë që ata kanë si qytetarë të Tiranës në raport me bashkinë, shërbimet dhe të tjerët, ta votojnë lali Erin, do të ishte mirë për ta bërë këtë jo për një kandidat që është kandidati i Partisë Socialiste por për një kryetar bashkie që e ka treguar në dy mandate rresht që nuk anon majtas dhe kthen kurrizin djathtas, por edhe sikur kjo të jetë e tepër dhe ata të thonë: Lali Fikun nuk e votoj. Problemi është çfarë do bëni në 14 Maj.

Në 14 Maj përtej bashkive, kandidatëve për kryetarë bashkish, është në test karakteri i shqiptarëve me raport me flamurin e tyre. Në raport me këtë flamurin kuq e zi që ju e keni sot në dorë dhe ne kemi udhërrëfyesin tonë në punën e përditshme dhe në punët e jashtme. E kemi ngritur më lart se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Është shumë i rëndësishëm 14 Maji se ata që i thonë vetes të djathtë, e kanë të lidhur dështimin e tyre. Ata e kanë pasur këtë flamur pa yll kur mbi këtë flamur u vu një yll. Që atëherë u bë ndarja e madhe mes shqiptarëve.

Një ndarje që në periudhën e diktaturës ishte një ndarje e shënuar me një vijë të kuqe gjaku. Të djathtët duhet të kenë shumë kujdes që të mos vijnë të votojnë për ata të cilët janë problemi i vulosur i Amerikës dhe Perëndimit. Sepse Amerika dhe Perëndimi, aleatët, miqtë partnerët tanë që na kanë mbështetur ne dhe që mbështesin këtë vend që quhet Shqipëri për të qenë në të gjitha ato pika deri dje të pamendueshme ku ne kemi arritur”, u shpreh Rama.

Ai e cilësoi Tiranën si një qendër graviteti për turistët dhe tha se kurrë më parë Tirana nuk kishte qenë një destinacion turistik nëpër faqet e revistave dhe websiteve të specializuara.

“Sot Tirana është fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve, që do të thotë më shumë ekonomi, më shumë të ardhura, numri i hoteleve që janë ndërtuar është mbresëlënës, por ka një element shumë të rëndësishëm. Fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve në Tiranë nuk janë hotelet, por janë mijëra apartamente që sot shërbejnë për të mikëpritur turistë dhe familjet që i kanë ato apartamente fitojnë të ardhura që kurrë nuk i kishin imagjinuar. Kjo shifër ende nuk është pjesë e ekonomisë së formalizuar sepse ne nuk kemi dashur të ngacmojmë në këtë fazë delikate këto të ardhura.

Nuk kanë asnjë ngarkesë fiskale sepse ne na duhet ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion turistik në katër anët dhe Tirana është qendra e gravitetit”, tha Rama.

Më tej, në vijim të mbylljes së fushatës në Tiranë, Rama u zhvendos tek Piramida e cila sot është hapur pas disa muajsh në rikonstruktim.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se “Piramida e Rilindur do të bëhet zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe streha më e madhe në rajon e të rinjve e të rejave që i përkushtohen teknologjisë digjitale.”

Ai tha se Piramida nuk do të jetë vetëm hapësira e teknologjisë së informacionit por edhe një stacion i turizmit në Tiranë, i atyre që duan të mësojnë historinë apo të shohin peizazhin.

“Po ashtu Piramida do të funksionojë për trajnime, do të ketë biblioteke, salla ku njerëzit mund të mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre dhe qendër TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.

Programet që do të ofrohen nga TUMO janë: animacion, zhvillim i lojërave, kinematografi, web design, muzike, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelim 3d, programim, robotik, grafike lëvizje, fotografi, media e re”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë