Politike

Berisha tha se nuk i njeh zgjedhjet, Mediu: Ç’do të thotë kjo? Kryebashkiakët që fituan nuk do i çosh në punë?  

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri një radiografi mbi mënyrën se si funksionoi opozita këto zgjedhje.

“Partia Republikane ka dalë me një rezultat mbi pritshmërinë e saj. Por kemi edhe disa bashki që nuk kemi rezultatin që duhet, kjo edhe për shkak të mungesës së konceptit elektoral nga disa prej drejtuesve të degëve. Duhet thënë se kjo ka qenë një garë e vështirë për Partinë Republikane. Kemi qenë gjithmonë aleatë të PD dhe dalja më vetë për këshilltarë dhe angazhimi për kandidatët për kryetarë bashkie ka krijuar keqkuptimet.

Kjo vjen edhe për shkak të mënyrës se si është ndërtuar Kodi, i ndryshuar në mënyrë të qëllimshme nga Edi Rama para zgjedhjeve të vitit 2021. Ne jemi renditur si parti e dytë ndër të djathta. Po të ishte Kodi ndryshe nuk do të ishte ky rezultat edhe në mazhoritar, edhe në proporcional. Edhe diferencat brenda PD  mund të ishin krejt minimale dhe angazhimi i opozitës do të ishte më i koordinuar. 

U krijua përshtypje që ishte një koalicion opozitar me emrin “Bashkë Fitojmë”. Kjo ishte thjesht një subjekt në koalicionin e madh opozitar. Kandidatët e opozitës mbështeteshin nga një aleancë e madhe partish, mbi 20 parti. Në mënyrë, ca të qëllimshme apo ca mediokre, ata që formëzuan gabim koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ e krijuan këtë idenë sikur ishte vetëm ky koalicion.

Për më tepër u përpoqën të impononin kandidatët për kryetarë bashkie. Për më tepër lista e partive politike opozitare nuk u koordinuan veprimtarinë me kryebashkiakun dhe pati edhe firo. Po të lexoni rezultatet e votave të kandidatit të Bashkë Fitojmë ka qartësisht më shumë vota se subjekti ‘Bashkë Fitojmë’. Pra ka vota edhe nga partitë e tjera”, tha Mediu

“Për gjykimin tim kandidaturat për kryetarë bashkie të opozitës në 70% kanë qenë më kualitative, më të mira se të mazhorancës. Por për fat të keq u lanë në hije. U vendos nën hijen e lidershipit politik, duke rënë në lojën e Edi Ramës.  Unë pajtohem se ne duhet të bëjmë një analizë për çdo qendër votimi. Se çfarë ka ndodhur? Por në fakt duhet të reflektojmë edhe në raport me veten tonë, ndryshe do të jetë e vështirë të ringrihemi. PD të bashkohet në interesa të qytetarëve dhe demokratëve dhe jo në interesa të individëve”, tha Mediu

I pyetur për deklaratat e Berishës se nuk i njeh zgjedhjet e 14 Majit, Mediu u përgjigj: “Unë kam bindjen se këto zgjedhje nuk janë të lira dhe të ndershme. Por cfarë do të thotë që të mos i njohësh zgjedhjet? Do të marrësh në këshillat bashkiakë apo jo? Do t’i cosh kryebashkiakët që kanë fituar në vendin e punës apo jo? Kjo është pyetja?  Ne duhet të respektojmë votuesit e atyre 7 bashkive dhe të bëjmë opozitën në nivel lokal. Sigurisht që do të shkojmë të marrim vendet tona në këshillat bashkiakë. I kanë votuar qytetarët për të qenë në Këshillat Bashkiakë”, tha Mediu


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë