Politike

Të vegjlit u nxjerrin të palarat partive të mëdha: Na tjetërsuan rezultatin, numëruesit ishin familjarë të kandidatëve    

Edhe këto zgjedhje ashtu si ato paraardhëset nuk i kanë shpëtuar tjetërsimit të votave në favor të partive të mëdha kur bëhet fjalë për partitë e vogla. Kjo duket qartë në ankesat lum që dërgohen në KLQZ nga të vegjlit e konkretisht FRD, LZHK dhe BD përfaqësues të të cilave kanë bërë ankesa për kuti votimi konkrete si  në Memaliaj (në këtë rast) apo edhe Pukë ku përpos pretendimit se vota e numëruar në favor të tyre u ka shkuar partive të mëdha, kanë konstatuar edhe konflikt interesi mes numëruesve dhe kandidatëve për këshillat bashkiak, që sipas tyre kanë pasur lidhje familjare (motër, vëlla apo grua).    

Konkretisht në ankesat e depozituara në KQZ, LZHK ka vërejtur se në Memaliaj gjatë procesit të numërimit të votave për këshill bashkiak ka mospërputhje të numërimit të votave të konstatuara nga vëzhguesit në 15 kuti votimi me ato që janë pasqyruar në procesverbalet përfundimtare nga KZAZ

Ndërsa gjatë numërimit të 9 kutive të tjera të votimit për të njëjtën zonë, sipas LZHK,  është vënë re tjetërsimi dhe shpërndarja masive e votës në subjekte te tjera përkatësisht për mandatin e 14 dhe 15

Numëruesit sipas LZHK kanë qenë gjithashtu në konflikt interesi me kandidatët për këshilla bashkiak. Të njëjtat konstatime për Memaliajn ka paraqitur edhe FRD.

LZHK gjithashtu konteston rezultatin e numërimit në KZAZ Pukë kur krahas mospërputhjes së numërimit të votave reale me atë që është pasqyruar në procesverbalin përfundimtar,  LZHK vëren se ka pasur parregullsi edhe me numrin e votave të pavlefshme. Sipas LZHK ky numër ka qenë më i madh nga sa është shënuar në procesverbal. Diferenca e atyre votave të pavlefshme që nuk janë raportuar në dokument, sipas LZHK, u ka shkuar subjekteve të tjera politike. LZHK vëren gjithashtu se i është devijuar vota me 35 të tilla duke ia hequr kësaj force politike dhe shtuar PD në Pukë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë