Gjergji Tomor Hani, i persekutuar, i burgosur dhe i dënuar prej regjimit komunist qysh në moshën 16 vjeç, sot i është futur një sfide politike; Të konkurrojë në fund të muajit korrik për kryetarin e PD-së përballë Lulzim Bashës.
Në një postim në rrjetet sociale, Hani shkruan se s’do jetë rrugë e lehtë, porse duhet filluar rruga e normalitetit të ri politik.
“…Kriza që ka përfshirë PD-në, ndonëse nuk ndodhi si nevojë e brendshme e shoqërisë, ajo sërish është sa e dobishme, po aq e domosdoshme pasi na vuri të gjithëve përballë së vërtetës së madhe që është kriza e identitetit. Krizë të cilën PD-ja e ka bartur gjithmonë në mënyrë latente gjatë rrugëtimit të saj 32 vjeçar…
E gjitha kjo duhet të mbarojë nëse duam që vendi të fillojë rishtazi një rrugë normaliteti të funksionimit politik të ekuilibruar…
Jam i vetëdijshëm që nuk ka për të qenë një rrugë e lehtë, pasi e vërteta nuk e ka pasur kurrë rrugën të tillë, por nga ana tjetër jam i besimit që nuk duhet humbur kohë në llogari meskine mbi mundin dhe rreziqet, por duhet që çdo njëri prej nesh të bëjë c’është e mundur që e vërteta të bëhet pjesë integrale e jetës së këtij vendi të bekuar nga Zoti, e të mallkuar nga verbëria e pushtetit si qëllim në vetvete, që e shtrëngon gjithmonë të lypë në udhëkryqet e historisë.
Gjithë sa më lart, janë një pjesë e kufizuar e një sërë arsyetimesh që më dhanë forcën e kurajon për të thënë; Po. Unë do të kandidoj për postin e kryetarit politik te Partisë Demokratike Shqiptare”, shkruan ndër radhë Hani
Gjergj Hani ka qenë i dënuar në moshën 16-vjeçare për tentativë arratisjeje me akuzën “Tradhti ndaj atdheut”. Më pas dënohet për “Tradhti ndaj atdheut dhe agjitacion dhe propagandë”. Ka kryer dënimin në burgun e Qafë-Barit.
Në rrethin e demokratëve ai njihet si mik me ish-kryetarin e komanduar të PD-së Enkelejd Alibeajn. Ky i fundit së fundmi e prezantoi Hanin edhe si anëtar të Këshillit Euroatlantik që i ngrit pak para zgjedhjeve lokale, këshill që përbëhet nga 11 anëtarë dhe drejtohet nga Preç Zogaj.
Ky këshill ka funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje