Politike

Video seksuale e Safet Gjicit, pse Berisha e Meta heshtin?!

Aty nga fundi i konferencës për shtyp të së hënës, kur po prezantonte draftin për vendosjen e minimumit jetik 200 euro, Sali Berisha u pyet për videon me përmbajtje seksuale e ish-kryetarit të bashkisë, Safet Gjici, që mori dhënë dhe përmbyti rrjetet sociale, por edhe median tradicionale në fundjavë.

Ndryshe nga çdo temë tjetër e diskutueshme, Berisha dha një përgjigje krejt të ftohtë:   

“Nuk është faji im nëse për ju janë kaq atraktive temat erotike, por unë nuk kam ndërmend të komunikoj sot për to. Njëherë tjetër po…”, tha ai.

LEXO EDHE:
– Qeveria shkarkon Safet Gjicin pas videos intime në zyrë
– Skandal në Bashkinë e Kukësit, kryebashkiaku Safet Gjici marrëdhënie seksuale në zyrë
– U kap në video seksuale, Safet Gjici dorëhiqet: Kam marrëdhënie intime me vajzën, pavarësisht se rashë në kurth. S’mund të punoj më në atë zyrë

Nisur nga eksperienca e denoncimeve nga faqja zyrtare e tij, apo edhe mënyra se si, ai e ka orientuar mënyrën e të bërit opozitë ndaj kundërshtarit, Sali Berisha nuk i ka kursyer këto tema qoftë edhe minore apo bazuar mbi thashetheme të pavërtetuara ndaj individëve të caktuar të PS.

Atëherë pse Sali Berisha ka heshtur kësaj here? Për videon e Safet Gjicit ka pasur vetëm një reagim zyrtar dhe etik përcjellë përmes emal-it nga pjesa e PD që ai drejton të premten kur u publikua video.

Asnjë deputet tjetër më pas nuk ka folur apo “vjellë” në rrjetet sociale për këtë çështje.

Asnjë prej tyre nuk doli në konference për shtyp t’i drejtonte gishtin Safet Gjicit jo më shumë për videon sesa për përmbajtjen e saj që lidhet me një fenomen akoma më të madh atë të abuzimit me detyrën më së paku. SPAK gjithashtu ka filluar hetimet, duke vlerësuar se ka elemente të veprës penale.  

Por Berisha nuk ka asnjë qëndrim deri në publikimin e këtij artikulli. Dhe po aq as Ilir Meta.

Petrit Vasili ka lëshuar ‘vrer’, por kryesisht nga pikëpamja e tij si individ në Facebook.

Nga Partia e Lirisë asnjë reagim zyrtar. E aq më shumë nga Ilir Meta i cili vetëm një ditë më parë e përfshiu  indirekt debatin “Gjici” me një fjali, si “skandale të Rilindjes”, kur foli për rrëzimin nga Kushtetuesja të marrëveshjes për Portin e Durrësit.

Safet Gjici para se të ndërronte kah politik ka qenë mbështetës i PD-së, por edhe i trumbetuar më të madhe si biznesmen i suksesshëm nga vetë Ilir Meta.

Sot ata janë në llogore të ndryshme, por heshtja e Metës dhe Berishës për rastin në fjalë ka hapur jo pak aludime.

A janë ata “furnizuesit” e drejtpërdrejtë te videos në media, apo po mbajnë një qëndrim të imponuar nga disa llogari elektorale për të rifituar Kukësin në zgjedhjet më të afërta që do të mbahen atje?

E vërteta deri më tash është se as Berisha dhe as Meta nuk e kanë artikuluar videon si denoncim.

Të hënën emisionet televizive zienin për videon “Gjici” ndërsa media më e madhe e opozitës “Syri Tv” në prime-time i kishte kushtuar hapësirë të gjerë situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Në të njëjtën ditë në mbrëmje në një tjetër media, pati një deklaratë të diskutueshme për nga vërtetësia, por korrekte në përmbajtje, e kundërshtarit të tij në zgjedhje, kandidatit të dyshes Berisha-Meta, Admir Sinamati i cili shprehej se atij i ishte ofruar një video kompromentuese për Gjicin qysh para zgjedhjeve porse ai e kishte refuzuar… Epo diku e vërteta fle…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë