Pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të marsit të një viti më parë, Lulzim Basha u largua nga drejtimi i PD-së me një deklaratë të shkurtër se “po bënte një hap pas”.
Basha kurrë nuk e zyrtarizoi dorëheqjen e tij, përveçse kur e detyroi përdhunshëm Ilirjan Celibashi që të deklarohej se ishte ende kryetar dhe se vetë ai u detyrua të përcillte disa dokumente (të diskutueshme) se kishte komanduar Enkelejd Alibeajn si ‘pasardhës’.
Për më shumë se një vit në Partinë Demokratike nuk ndodhi asgjë edhe pse gjatë kësaj kohe u mbajtën zgjedhjet lokale që shënuan një rezultat të turpshëm për PD-në.
Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, Lulzim Basha u shfaq në Kuvend për të votuar Gazment Bardhin si kryetar grupi e në krye të muajit qershor ai rifillon takimet me fokus të rinjtë.
Basha u kujdes të proklamojë se bashkëbisedimi i tij nuk është për t’u futur garës për kryetar, se kishte kohë për këtë proces, porse për të përçuar mesazhet e tij (të përsëritura) qysh kur ishte kryetar i PD-së dhe për t’u distancuar nga politika aktuale, edhe pse kishte 17 vjet i përfshirë aktivisht në të.
Me daljen e Bashës në skenë gjërat filluan të lëvizin brenda PD-së, asaj zyrtare. Me një grup (pa peshë elektorale) që i kanë qëndruar besnik duke kërkuar që ai të zgjidhet menjëherë në fund të muajit korrik dhe një tjetër grup (me shumicë parlamentare) që i besuan verbërisht atij se ishte larguar nga PD-ja dhe se kjo e fundit kishte nevojë për hapje, riorganizim dhe domosdoshmërisht pa atë dhe Sali Berishën në krye të PD-së.
Dhe këtu fillon ngërçi. Gazment Bardhi, ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, “i surprizuar” me rikthimin e Bashës aq shpejt, po lëviz çdo gur nga pikëpamja statutore që zgjedhjet për kryetarin të mos mbahen në fund të korrikut.
Në anën tjetër është grupi “Basha” që po “qep” atë që ishte grisur vetëm një vit më parë, për ta mbajtur kryetarin në detyrë.
Edhe Lulzim Basha pranoi në një nga takimet se me “largimin” e tij në PD nuk ka ndryshuar gjë.
Atëherë pse duhet një rikthim formal i tij? Prej kohësh ata që punuan me të por mbetën të pezmatuar, por nuk ishin as me Sali Berishën, si Ervin Salianji, janë shprehur se Basha nuk ishte larguar kurrë dhe se ai do të shfaqej sërish në skenën politike për t’i marrë PD-së formalisht vulën edhe pse me gjykatë e ka ende.
Disa të tjerë, si Gazment Bardhi, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, apo Dhurata Çupi që i besuan (me vetëdije apo jo) Bashës, filluan të flisnin për parime dhe hapje partie.
Në anën tjetër edhe Berisha, duke e njohur mirë “të ngjashmin e tij” në politikë, është shprehur se Basha nuk është larguar dhe se ai do të bashkëpunonte më çdokënd në PD përveç tij dhe Enkelejd Alibeajt.
Dhe ja ku jemi në fund të afatit formal për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të partisë, ku Lulzim Basha (ashtu siç edhe pritej) e kishte depozituar kandidaturën në momentet e fundit përmes një emaili.
Pse në këtë formë? Sepse Basha paralelisht po ndërmerr një tur ndërkombëtar ku flet në emër të PD-së dhe të ardhmes së saj siç ishin takimet e tij në Samitin e fundit botëror për partitë e djathta apo mesazhet tij me deputetë britanikë.
E gjithë skema e tij është e qartë, veçse manovrat e pasinqerta të Bashës i kushtuan jo pak.
Lulzim Basha rikthehet formalisht në drejtimin e asaj partie me vetëm 7 deputetë nga 52 që PD-ja mori si forcë politike në zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit 2021.
Më shumë sesa dakordësia, që ai të jetë apo jo kryetar i PD-së, ishte rruga që ai ndoqi duke u përcjellë kryesisht të tijve mesazhin se beteja e tij në PD ishte për parime, se kishte marrë përsipër të gjitha mëkatet që i takonin në raport me Sali Berishën, se ishte gati të luftonte për atë forcë politike si vetë kolegët duke e parë PD-në (jo më nga maja) që të ringrihej nga dikush tjetër. Por jo, mirazhi që krijoi Basha ishte vetëm për të vetët… Basha nuk u largua nga PD-ja që, sipas të gjitha gjasave ligjore të deritashme, ai do ta drejtojë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të tjerat pastaj janë llogari politike që duhet t’i bëjnë ata që u distancuan prej tij, ata që janë larguar, apo edhe ata që i besuan deri në verbëri naive.
Basha në fund të fundit është në rregull me letrat e tij…/ N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje