Politike

Kapitulli i inceneratorëve mbyllet me Ahmetajn? Tabaku e sheh fitore të komisionit hetimor arrestimin e tij

Në cilësinë e ish-kryetares së komisionit hetimor për inceneratorët, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, i kërkoi Arben Ahmetajt që të bashkëpunojë me SPAK i akuzuar për këtë çështje. Gjithësesi në një fjalë të gjatë në kryesinë e Kuvendit, Tabaku e cilësoi fitore të komisionit hetimor arrestimin e Ahmetajt

“Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që t’i shkohet kësaj afere deri në fund”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate kërkon nga SPAK që të bashkohen në një dosje hetimet për Inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

“Sot paratë janë duke u paguar për Tiranën, në këto kushte besoj se këto duhet t’i kalojnë në pronësi bashkive dhe duhet të marrin në administrim këto djegësa për të parë se si mund të vendosen në dispozicion. Është për Tiranën, s’ka incenerator, vetëm landfill, të ndërpriten pagesat menjëherë”, tha Tabaku.

Më tej ajo u fokusua tek tre akuzat e SPAK për Ahmetajn.  

“Një lexim i kujdesshëm i kërkesës së publikuar tregon se si afera e tre inceneratorëve që janë instalacionet e korrupsionit në vendin tonë, dëshmon se si ish Zv Kryeministri sot akuzohet për përfitimet që ai ka marrë prej pronarëve të tyre. Së paku ato që janë provuar.

Ne foto: Jorida Tabaku nga kryersia e Kuvendit

Që prej vitit 2017 kam denoncuar vijimësisht aferën e inceneratorëve, ku askush nuk i mendonte përmasat e këtij skandali.

Në vjeshtën e vitit 2021 Parlamenti i Shqipërisë votoi thuajse unanimisht për të ngritur komisionin hetimor të inceneratorëve. Qëllimi i këtij komisioni ishte të hetonte aferën e 430 mln eurove të dhuruar të njëjtëve persona të lidhur ngushtësisht dhe miqësisht me qeverinë, tre persona sot në kërkim dhe pa asnjë pasuri, aset, apo njohuri teknike e profesionale për të menaxhuar këtë projekt miliona eurosh.

Komisioni hetimor zhvilloi mbi 55 dëgjesa publike që përkthehen në 60 orë dëshmi me një rëndësi jetike për këtë çështje. Gjatë tre javëve të fundit të pandërprera me dëshmi, çdo shqiptar mësoi se si 430 mln euro nga taksat dalin sot e kësaj dite nga buxheti i tyre i shkojnë personave që kanë korruptuar deri zvkryeministrin e Shqipërisë.

Sot, ky komision korr realisht një fitore që mund të themi është emblematike për natyrën e akuzës që SPAK ka ngritur ndaj ish zv kryeministrit Ahmetaj që erdhi të dëshmojë në Komision në orën e vona të datës 21 shkurt dhe përfundoi dëshminë në orët e para të ditës së nesërme”, tha Tabaku.

Ajo renditi se janë 11 padi të dorëzuara prej saj në emër të PD në SPAK.

“Mazhoranca sot ka përgjegjësi politike që edhe pse së paku një ministër, një deputet i dalë nga radhët e saj dhe së fundmi edhe ish zv kryeministri dhe ministri i financave dhe ekonomisë janë të akuzuar ekzaktësisht për aferën e inceneratorëve, vazhdon t’i bëhet mburojë kësaj çështje duke dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit për këto tre inceneratorë.

Sot kur tre persona janë përpara drejtësisë nuk ka më përgjegjësi individuale, sot ka përgjegjësi kolektive politike për të gjithë ato që kanë ideuar, miratuar në shkelje të ligjit, zbatuar e mbrojtur këtë aferë. Kushdo që i ka dalë për zot atyre që janë sot përpara drejtësisë e kujtdo që duhet të shkojë përpara drejtësisë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë