Nga Gazeta Si- Pas 7 orë debatesh, Kuvendi ka miratuar me 101 vota pro rezolutën konsensuale në mbështetje të Kosovës për ngjarjet e ndodhura. Asnjë votë kundër dhe një abstenim rezultoi në këtë votim ndërsa mësohet se grupi i deputetëve të Bashës nuk votoi. Vota abstenuese erdhi vetëm nga deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, i cili ishte iniciuesi i interpelancës me kryeministrin Edi Rama dhe propozues i disa amendamenteve për rezolutën që u mbështet vetëm nga PS dhe grupimi i Foltores. Në sallë ka rënë në sy mungesa e kryeministrit Edi Rama, ndërsa amendamentet e Çollakut u rrëzuan.

Në fund të seancës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla hodhi për votim edhe nismat për krijimin e 2 komisioneve hetimore të opozitës, të grupimit Berisha dhe Bardhi. Kjo u shoqërua me kontestime nga opozita, pasi sipas tyre nuk ishin në rendin e ditës. Vetëm me votat e mazhorancës u rrëzuan të gjitha propozimet për komisionet hetimore, Komisionet Hetimore për sistemin TIMS si edhe për koncensionet në Shëndetësi. Pas seancës, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se mazhoranca me këtë akt vrau opozitarizmin në Parlament.
“Pas çaste më parë, shqiptarët panë një akt rrugaçërie të pashembullt në parlamentin shqiptar. Ajo që kryen detyrën e kryetarit, faktikisht një njeri i keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama, duke shkelur me të dy këmbët rregulloren e Parlamentit, futi në rend të ditës, pas miratimit të rezolutës atë që nuk mund të ndodhte kurrë, sepse në çdo parlament rendi i ditës miratohet në mëngjes dhe në mëngjes ishte vetëm rezoluta për Kosovën. Por në një mënyrë tinëzare, banditeske, e keqpërdorura në shkallë ekstreme që kryeson seancat e parlamentit, futi çështjet themelore, kërkesat e opozitës për komisione hetimor parlamentare dhe vendimin e Edi Ramës për ti përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën. Ju e patë vetë se çfarë skene e shëmtuar ishte kjo. Një skenë e tillë mund të ndodhë vetëm në parlamentin e Bjellorusisë. Faktikisht ky është përjashtimi i opozitës nga parlamentit. Faktikisht ky është ekzekutimi i pluralizmit politik në parlament”, tha Berisha .
PËRMBAJTA E REZOLUTËS NË MBËSHTETJE TË KOSOVËS
-Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023. Në këto kushte, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shprehet se Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.
-Në pikën e dytë, Parlamenti kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.
– Në fund, Shqipëria inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje