Në interpelancën që po zhvillohet në Kuvend kërkuar nga deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku për Kosovën (ku do të diskutohet edhe rezoluta dhe më pas mocioni me debat për të njëjtën çështje i kerkuar nga Gazment Bardhi) kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kuvend dënoi sërish sulmin në veri të Kosovës ku humbi jetën një polic shqiptar.
“Ne mund të themi vetëm fjalën tonë të lirë, siç do bëjmë edhe sot sipas rregullores së kuvendit që na imponon këtë debat ndonëse dihet se nga kush dhe pse kërkohet ky debat.
LEXO EDHE:
Arrihet dakordësia mes PS-së dhe opozitës për rezolutë të përbashkët për Kosovën (Teksti i plotë)
Megjithatë unë do them të vërtetat e mia. Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizës veriut të Kosovës dhe ja nguli mu në fund, dialogut dhe njohjes së Kosovës. Shfaqja e shëmtuar me armatime të trafikuara për sulm dhe thasët e financimeve kriminale në veri të Kosovës ishte si kronika e zezë i një kronike të paralajmëruar. Lajmi i vrasjes së policit ishte si një bombë që dha sinjalin e përshkallëzimin në atë skenë. Kthen mbrapsht procesin e dialogut dhe ndez llambën e vjetër të krizës mes dy vendeve në Ballkan.
Ngujimi i kriminalëve serbë në Manastir, ishte si një ftesë për provokim për të nxjerrë sulmin e Kosovës. Fundi ishte triumfator, sepse nuk ranë pre në kurth dhe neutralizuan duke iu përgjigjur në mënyrën më të drejtë të mundshme provokimit djallëzor të provokimit serb. Ndërsa shpallja e zisë kombëtare në Beograd, ishte shëmbëlltyra e hijes e së shkuarës, e cila ndjek Kosovën kudo sa herë del drita.
Për herë të parë nuk u linjëzuam me deklaratën e BE-së, ajo deklaratë ishte kryekëput për Kosovën dhe për deklaratat e saj në procesin e dialogut dhe s’kishte asnjë gërmë për Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi gjatë fjalës se Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik që po i jep plani franko-gjerman
“E kam thënë së samitin e NATO, mbi domosdoshmërinë marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Fokusimi tek suksesi dhe jo dështimi i plantit franko gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk duhet mbajtur një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektin për tu bërë pjesë e OKB, NATO, BE. Ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë, duhet logjikë të ftohtë, për të kuptuar se ai as duke mos u bërë është kthyer në një litar. Do vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e shohësh këtë do të thuash që mos të duash t’ia dish fare se si duhet hedhur hapi tjetër. Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik, të planit franko-gjerman për të bërë një progres në dialogun me Serbinë. Nëse bëhet si duhet në bashkëpunim me aleatët, Serbia s’do lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këtë kohë mes Brukselit dhe Uashingtonit duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në dialog”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje edhe fjalët e Clinton për Kosovën. Duke paralelizuar situatën në Kosovë, me konfliktin ne Izrael-Palestinë, Rama tha se ajo çka po ndodh këto ditë është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore i prodhuar nga frika e lidershipit politik për të prodhuar paqen me armikun historik.
“Kur Clinton erdhi në Tiranë më tha, thuaju miqve të mi në Prishtinë të mos e humbasin shansin mbi planin franko-gjerman, tregoju si e humbi Arafat mundësinë e paqes kur e kishte mbi tavolinë. Izraelitët thanë po edhe Arafat tha po do e firmosin, nisa përgatitjet, të nesërmen Arafat mori në telefon dhe më tha nuk e firmos, i thash, tha Clinton, (citon Rama) e kupton se cfarë po bën dhe shansi që të vijë sërish është thuajse zero. Përgjigjja e tij: E di po nuk e firmos dot.
Kosova shtoi Clinton jo vetëm nuk duhet t’i zhgënjejë miqtë e ditëve më të vështira, por duhet të punojë njësh me ta që te finalizojë paqen. Punët e Palestinës shkuan keq e më keq për të finalizuar paqen, ndërsa konflikti sot po trondit botën prej disa ditësh. Ajo që po ndodh këto ditë është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore i prodhuar nga frika e lidershipit politik për të prodhuar paqen me armikun historik. Ky është thelbi”, tha Rama.
Ai foli edhe për komunikimin me Bashkimin Europian për moslinjëzimin e Shqipërisë për herë të parë me deklaratën e BE-së në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, të datës 19 shtator 2023.
“Ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë- Serbi qysh pas vitit 1999. Ende më keq, ngjarja kriminale ishte pasur nga një kat i papranueshëm zyrtar. Shpallje zie në Beograd. Prandaj ua bëmë të qartë miqve se për tu linjëzuar me atë deklaratë që ishte krejt normale nëse agresioni s’do kishte ndodhur, prisnim një deklaratë të dytë të BE, ku do dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan që kohën dhe procedurat e BE nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë, sipas nesh e domosdoshme në të njëjtën kohë me të parën. Dua ta bëj të qartë se moslinjëzim ne politikën e jashtme të BE nuk është fjalë goje për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE dhe që përgatit të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politiken e jashtme. Nuk është as një akt heroizmi, por mbetet një akt politike, kundërshtie në dokumentet tona me Brukselin”, tha Rama.

Ai ka komentuar gjithashtu rezolutën e përbashkët për Kosovën.
“Sot jemi ftuar në një mocion me debat nisur nga një draft rezolutë e depozituar në Kuvend që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kosovës pas ngjarje strategjike ku u vra Afrim Bunjaku nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre që u drejtohen për mbështetje politike fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Po Kuvendi i Shqipërisë pjesë e NATO, vend kandidat për BE, vend që ka ulësen, rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ambasadorët në të gjithë organizmat, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua. Cilat parlamente të vendeve anëtarë te NATO, miraton rezoluta të tilla drejtuar botës. Cili është qëllimi? Përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare. Rezoluta të tilla shfaqen me shpejtësi të rrufeshme si dru për oxhakun e programacionit kundër qeverisë, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veri, herë si politikë ditore, herë me thirrjen në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në parlamentin e shekullit 21″, tha Rama.
Rama thumboi qeverinë e Kosovës, në lidhje me reagimet e saj për deklaratat e tij për ngjarjet në Banjskë.
Ai theksoi se Shqipëria nuk ka luksin që të luajë me dy porta dhe këtë gjë nuk do ta bëjë kurrë.
Rama tha se rezoluta për Kosovën nuk është gjest konsumi i brendshëm elektoral, siç po ndodh në Prishtinë, por një mesazh i qartë për Brukselin. Ai tha se në Tiranë dhe Prishtinë ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria e sotme nuk është ajo e dikurshmja në arenën ndërkombëtare.
“Në Tiranë dhe Prishtinë, ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria nuk është më ajo e djeshmja. Nëse sot respektohet si e barabartë, vlerësohemi për dinjitetin që tregojmë me fjalë dhe vepra. Pyetemi nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, çmohemi si vend serioz, që i besohen poste me rëndësi, siç ishte dhe zgjedhja në OKB, apo na kërkohen mikpritje samitesh në Shqipëri. Kjo nuk ndodh as se unë vesh atlete në samite apo se ata nuk dine se ku të mblidhen, por se e kemi çuar pozicionin tonë në rajon dhe botë në një kah të ri. Jemi faktor paqeje, si anëtar i denjë i komunitetit euroatlantik. Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritarë që thonë; Shqipëria është faktor paqeje, stabiliteti në rajon dhe botë. Deri dje Shqipëria është faktor pasiv, sot aktiv. Ka një fill të artë amaneti kombëtar që vazhdon. Kjo na kërkon që të bëhemi perëndimorët e Ballkanit dhe jo ballkanasit e radhës. S’kemi luksin që të luajmë me dy porta…”, vijoi ai
Ai foli edhe për qëndrimin e tij më të hershëm për kontrollin e KFOR-it në Veri të Kosovës i domosdoshmëri duke parë se si kishin hyrë armët aq lehtësisht në veri të Kosovës duke sjelle për pasojë vdekjen e një polici, e deri tek intervista me telefon që kishte dhënë për ËSJ duke sqaruar se deklarata e tij ishte referuese vetëm për veriun si ‘no man’s land’ duke theksuar edhe korrektimin që kishte bërë më pas vetë gazetari që e kishte intervistuar.
Rama tha se kërkesa e tij për kontrollin e KFOR-it në veri jo vetëm që nuk e kërcënon Kosovën, por siguron paqen dhe stabilitetin aty derisa të gjendet një zgjidhje përmes dialogut dhe në fund të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës.

“KFOR nuk është ushtri pushtuese në Kosovë, është njësia çlirimtare e ndërkombëtare të Kosovës… KFOR do vazhdojë të rrijë në Kosovë derisa dialogu të jetë kryer me sukses dhe Kosova të jetë njohur si shtet nga të gjithë…Kush e sheh sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime duhet tu shpjegoj shqiptarëve pse rrjeta e veriut është çarë nga katër anët. Si futen armatimet, çfarë garancish ka që vrasja e efektivit s’do përsëritet. Cila është rruga e përparimit drejt qëllimit strategjik të njohjes përfundimtare të Kosovës përmes dialogut nga aleatët i cili kërkon vetvetiu qetësi atje. Dhe a mund të garantohet qetësi atje në mënyrë përfundimtare nëse nuk garantohet paqja zyrtare. Dhe jo me mua po me Shqipërinë, me Serbinë. Se paqja bëhet me armikun, nuk bëhet me vëllain. Mbi të gjitha për cilën arsye në botë më tregoni këtë se kam kuptuar nga kjo histori është se nuk jam aq i mençur sa të gjithë këta që e shikojnë ndryshe këtë histori, pse duhet harxhuar kaq shumë kohë në një rrugë kaq zhgënjyese”, tha Rama
Rama tha gjithashtu se Albin Kurtin e ka mik (më shumë sesa Ramush Haradinajn) porse si kryeministër i Kosovës ai ka “divergjenca botkuptimore mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët për Kosovën”
“Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje e kam kënaqësi të bisedoj me të, por me kryeministrin aktual kam divergjenca botëkuptimore, se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar.
Gjithashtu, fakti se me Ramushin kemi pasur krisje, nuk ka si më pengon të shpreh neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë përmes tastierave të luftës civile dixhitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës serbe. E dini si është puna, Ramush Haradinaj si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun e vërtetë në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste, dhe si çdo luftëtarë që ka fituar luftën me armë të vërteta, nuk ka si ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në prani edhe të mediave, se mund të ishte në ambient privat dhe prapë të sulmohej me këto mjete mizerabël kineze duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë se pa qindra mijëra Ramushët e UÇK s’do gëzonin lirinë e shprehjes deri në abuzim që kanë sot”, tha Rama.
Ai kishte një mesazh edhe për Albin Kurtin dhe ata që e kritikojnë marrëdhënien e krijuar me këtë të fundit. Rama sqaroi edhe marrëdhënien që ka me Presidentin e Serbisë.
“Kur vëllai i vogël gabon duhet t’i them rri drejt aty (si vëlla i madh). Presidentin e Serbisë as e kemi zgjedhur as do ta zgjedhim dot ne shqiptarët ashtu sikurse zoti nuk na ka pyetur ne shqiptarëve kur na vuri serbët ngjitur. Ne jemi aty ata janë aty.
Presidentin e Serbisë e kam takuar dhe do ta takoj sa herë e gjykoj të arsyeshme sepse kështu i shërbej më mirë interesit të Shqipërisë dhe të Kosovës”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje