Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Zgjeruar të PS ka folur edhe për reformën në drejtësi dhe aksionet e fundit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Sipas Ramës, ajo çfarë është parë kohët e fundit me arrestime figurash të profilit të lartë është vetëm fillimi i fundit.
Rama u shpreh se me krijimin e SPAK krimi është tkurrur në disa zona të caktuara, ndërsa theksoi se tashmë shteti ka hyrë në revansh për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Tani është edhe SPAK. Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash të profilit të larta të krimit të organizuar është vetëm fillimi i fundit. Që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë. Do të jetë shumë e afërt koha kur të gjitha këto vatra do shuhen. Të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri se një pjesë ja kanë mbathur, do përfundojnë aty ka kanë filluar të shkojnë ata që janë provat e para të gjalla sesi këtu nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar.
Këtë luftë që e kemi filluar 10 vite më parë do ta fitojë shteti dhe do ta fitojë pa kthim. Nuk ka vend demokratik pa krim, zhdukja finale përfundimtare e krimit nuk është arritur në asnjë vend, por një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim. Nëse për krimin e organizuar përdoret shprehja ‘bota e nëndheshme’, ata do kenë bishtat e tyre, por jo më mbi dhe, por nën dhe. Mbitoka e Shqipërisë do jetë e qytetarëve shqiptarë. Pastaj lufta e shtetit me krimin e organizuar do bëhet me minjtë e nën tokës, por në mexhelise dhe jo deri në fonde publike. Kjo mbase është pak, por një nga gjërat më të sigurta”, tha ai.
Rama theksoi se reformen në drejtësi nuk e ka bërë Amerika, por Partia Socialiste me përkrahjen e aleateve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Para ca ditësh po bisedoja me Fatmir Xhafën që për një kohë të gjatë ka qenë në tryezat qysh kur ishim në opozitë ku është diskutuar çështja e drejtësisë. E solla emrin e Fatmirit këtu se ai ka një zakon të vjetër që mban shënime. Më kujtoi që ne këtë që bëmë dhe po bëjmë me reformën në drejtësi e kemi nisur jo kur unë e kam përsëritur shpesh për programin e 2013, por e kemi nisur shumë kohë më parë kur në opozitë ne i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Ka qenë dokument i propozuar nga PS, në 2008.
Ka ardhur në pikën që nuk mban me kjo punë. Jo amerikanët, por gjithë forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë. E para sepse nuk është punë e tyre, në kuptimin që nuk angazhohen hajde ta bëjmë këtë. E dyta, askush, besojeni këtë sepse është një nga arsyet themlore për të qenë krenarë për këtë familje politike, nëse sot pandëeshkueshmëria nuk është më mit dhe gjithkush është i ndëshkueshëm kjo ndodh sepse ekziston Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush tjetër. As ata që ishin, as ata që duan të jenë. Nuk e kanë këtë kapacitet shtetbërës që ka PS në DNA e vet sepse që nga viti 1991 në Shqipëria ka pasur dy forca, një forcë që ka shkatërruar dhe një që ka rindërtuar. Pra nuk është Amerika që bëri reformën në drejtësi, por është PS që bëri reformën në drejtësi”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje