Nga Gazeta ‘Si’ -Nga Fieri këtë të premte ku u zhvillua Asambleja e Zgjeruar e PS, kryeministri Edi Rama u ndal tek ekonomia duke e konsideruar atë si një ndër më rezistentet në rajon.
Ai theksoi se Shqipëria ka pritur 8.92 milionë vizitorë të huaj këtë vit duke e kthyer turizmin në një ndër industritë më kryesore.
“Sot, mora të dhënat e tetorit për turizmin, krahasimisht me tetorin e vitit të shkuar numri i turistëve është rritur me mbi 80%. 691 mijë turistë erdhën në tetor. Nga Janari në Tetor ne kemi prekur numrin e 9 mln turistëve në Shqipëri. Për të qenë të saktë 8.92, por gjithsesi është një shifër që do ishte e paimagjinueshme deri ca vite më parë. Nganjëherë kur flasim për turizëm, ka disa që mendojnë se kjo nuk ka lidhje me jetën e tyre të përditshme.
Në fakt, turizmi po kthehet në industri dhe është eksporti më i madh sepse nuk është si ata turistë që vijnë e rrinë në ajër, ata rrisin në mënyrë eksponenciale konsumin. Rrisin kërkesën për shërbime, kërkesën për prodhime dhe patjetër dhe të ardhurat në ekonominë familjare”, tha Rama ndërsa shtoi se Shqipëria sot është një vend tjetër në sytë e atyre që deri dje as nuk e imagjinonin ta shikonin si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek borxhi i vendit që sipas tij pasi u ul me 15% këtë vit parashikohet që të ulet nën 60% vitin e ardhshëm.
“Kemi pasur goditje të forta, që nga tërmeti tek pandemia dhe ndryshe nga vendet e tjera rreth e rrotull që janë vende anëtare të BE, ne 5 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kemi pasur mbështetje financiare ekstra nga BE ose më saktë mbështetje të konsiderueshme. Borxhi ynë shkoi deri në 75%. Sot që flasim me buxhetin e vitit 2024 ne jemi pothuajse në 60%. Kemi një ulje me 15% të borxhit. Projeksioni ynë është që vitin e ardhshëm, nëse largqoftë nuk do ndodhë ndonjë gjë tjetër, ne do të zbresim nën 60%”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se 33% e buxhetit e vitit 2024 do shkojë për kujdesin social.
“Buxheti ynë prej 7 miliardësh që është më shumë se dyfishi i buxhetit që kemi pasur kur kemi marrë detyrën, 1/3 e ka për mbrojtje sociale, në këtë 33% është dhe ndihma ekonomike, asistencat sociale, janë ish të përndjekurit, ish-pronarët dhe bonusi i bebes. Këtë shtrirje të mbështetjes dhe kujdesit social ky vend se ka pasur asnjëherë më parë, kjo është e vërteta”, citoi ai.
Një koment, Rama e pati edhe për daljen e Shqipërisë nga Lista Gri e Task-Forcës së Veprimit Financiar ku u shpreh se kjo arritje do të rrisë besueshmërinë e vendit tonë.
“Para pak ditësh Shqipëria doli nga Lista Gri e Task forcës së Veprimit financiar. Doli nga Lista Gri me vlerësime të larta për gjithë punën e bërë. Lista Gri është një listë ku futen vende që kanë problematika me qarkullimin e parasë, me pastrimin e parasë dhe kështu me radhë, por është një proces. Doli Shqipëria nga lista gri, u fut në listë Kroacia dhe Bullgaria. Nuk është fundi i botës të hysh në Listën Gri, por është shumë më mirë të mos jesh në të sepse forcon shumë reputacionin e vendit, rrit shumë besueshmërinë dhe njëkohësisht patjetër lehtëson shumë qarkullimin e parasë. Këtu flasim për një vend që ka shumë ndërlidhje për shkak të shumë shqiptarëve që janë në emigracion dhe që dërgojnë para, që investojnë në Shqipëri, por edhe për shkak të kërkesës në rritje të investitorëve të huaj”, u shpreh Rama.
Ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm paga mesatare do të shkojë në 900 euro, Rama u shpreh se nuk do të ketë rritje taksash.
“I vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë, nuk e ka asnjëri, dhe 0 Tvsh, nuk e ka asnjëri. Dhe ndërkohë jemi duke diskutuar dhe mbase do të arrijmë deri në fund që edhe nivelin e lartë të taksës mbi pagën ta rishikojmë, që nga rritja e pagave në nivelin e lartë(kam parasysh ne nivel të lartë kishim 1 mln deri dje) sot nuk është 1 milionëshi. Do mundohemi të bëjmë një zbutje që të mbeten më shumë për familjet”, deklaroi Rama.
Mandej ai vuri theksin tek mungesa e kapaciteteve njerëzore duke e konsideruar alarmante.
“Që ne të bëjmë atë kapërcim historik që kemi marrë përsipër dhe që ta kemi Shqipërinë e 2030-ës një vend kampion për turizmin, për eksportet bujqësore, për digjitalizmin, duhet me patjetër të kuptojmë jo thjesht intelektualisht po në veprimin e përditshëm që duhet të rrisim me shpejtësi kapacitetet njerëzore në arsimin profesional.Dhe mungesa e njerëzve të zanatit në të gjithë sektorët është alarmante.
Jepuni fëmijëve një zanat, kur ata të dalin në jetë pas 6-7 vjetësh, Shqipëria do jetë vendi që do ketë shumë kërkesë. Shumë, shumë kërkesë, dhe do ketë punë”, theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje