Protesta e studentëve është në ditën e gjashtë. Edhe pse është ditë pushimi, studentët nuk ndalen. Ata thonë se janë të vendosur deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Studentët fillimisht janë mbledhur para Korpusit dhe tani kanë hyrë në rrugën e “Durrësit” para godinës së Ministrisë së Arsimit. Drejt Ministrisë kanë marshuar edhe studentët e Akademisë së Arteve. Nën thirrjet “Qëndroni të bashkuar”, “S’ka negociata”, ata janë të vendosur për të protestuar deri në fund. E ndërkohë pankarta që vihet re më shumë është “Artistët nuk bëhen kryeministra”.
Studentët i kanë dorëzuar një listë me 8 kërkesa Ministrisë së Arsimit dhe i kanë dhënë ultimatum deri të martën për plotësimin e të gjitha kushteve.
Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave të shkollimit, kartë studentore me përfitime lehtësuese, rishikim të kurrikulave shkollore në universitete; komision në universitet që të mbrojë të drejtat e studentëve, etj.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ftuar studentët në një bashkëbisedim live në “Facebook” në orën 11:00. Kreu i qeverisë ripërsëriti ftesën për dialog, por studentët refuzuan sërish, duke i kërkuar pranimin e 8 kërkesave të tyre. Kryeministri insistoi duke u shprehur se është i gatshëm për një mekanizëm bashkëqeverisjeje me studentët me qëllim, siç u shpreh ai, për shërimin e plagëve të korrupsionit dhe keqadministrimit të universiteteve në vend.
Edhe mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë ka ripërsëritur ftesën për dialog me studentët. Nëpërmjet një postimi, duke uruar mirëmëngjesi, Rama u kujton studentëve se i pret për bashkëbisedim në orën 11:00 live në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje