Lajme

Dita e gjashtë e protestës, studentët refuzojnë takimin me Ramën

Protesta e studentëve është në ditën e gjashtë. Edhe pse është ditë pushimi, studentët nuk ndalen. Ata thonë se janë të vendosur deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Studentët fillimisht janë mbledhur para Korpusit dhe tani kanë hyrë në rrugën e “Durrësit” para godinës së Ministrisë së Arsimit. Drejt Ministrisë kanë marshuar edhe studentët e Akademisë së Arteve. Nën thirrjet “Qëndroni të bashkuar”, “S’ka negociata”, ata janë të vendosur për të protestuar deri në fund. E ndërkohë pankarta që vihet re më shumë është “Artistët nuk bëhen kryeministra”.
Studentët i kanë dorëzuar një listë me 8 kërkesa Ministrisë së Arsimit dhe i kanë dhënë ultimatum deri të martën për plotësimin e të gjitha kushteve.
Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave të shkollimit, kartë studentore me përfitime lehtësuese, rishikim të kurrikulave shkollore në universitete; komision në universitet që të mbrojë të drejtat e studentëve, etj.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ftuar studentët në një bashkëbisedim live në “Facebook” në orën 11:00. Kreu i qeverisë ripërsëriti ftesën për dialog, por studentët refuzuan sërish, duke i kërkuar pranimin e 8 kërkesave të tyre. Kryeministri insistoi duke u shprehur se është i gatshëm për një mekanizëm bashkëqeverisjeje me studentët me qëllim, siç u shpreh ai, për shërimin e plagëve të korrupsionit dhe keqadministrimit të universiteteve në vend.
Edhe mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë ka ripërsëritur ftesën për dialog me studentët. Nëpërmjet një postimi, duke uruar mirëmëngjesi, Rama u kujton studentëve se i pret për bashkëbisedim në orën 11:00 live në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë