Lajme

Dita e 13. Studentët vendosin për përshkallëzim të protestës

Sot vijon dita e 13-të e protestës, gjatë së cilës studentët kanë marrë vendim për përshkallëzim të veprimeve të tyre. Një hap i parë i këtij përshkallëzimi ishte sot bllokimi i disa akseve rrugore ne kryeqytet. 

Më herët gjatë paradites në tubimin përpara Kryeministrisë shënuar edhe një incident i shkurtër . Studentët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestës, ndërsa do të bllokojnë rrugët. Protestuesit do të bllokojnë tri pika të rëndësishme në Tiranë, Zogun e Zi, kryqëzimin përballë Bankës së Shqipërisë dhe Kryeministrinë. Më herët, një grup protestuesish kanë dashur të dalin nga ana anësore e Kryeministrisë (në krah të Piramidës), por shumë të tjerë kanë qenë kundër kësaj ideje. Kjo ka sjellë edhe “përplasje” mes vetë protestuesve. 

Ditën e sotme, policia zgjeroi edhe perimetrin e sigurisë, pasi ka pasur shumë studentë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Inxhinieria e Ndërtimit. Ndërsa, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë bllokuar rrugën te ‘Nëntë Katëshet’.  

Gjatë protestës një person ka hedhur tymuese në drejtim të Kryeministrisë, e ndërkohë studentët kanë kërkuar largimin e tij nga protesta.

Ndërkohë nëpër fakultete në orët e para të mëngjesit viheshin re shirita apo edhe zinxhirë në mënyrë që të ndalohet hyrja e studentëve, pedagogëve, por edhe administratës.
Ky veprim është bërë nga studentët e Politeknikut dhe të Ekonomikut, të cilët kanë mbyllur dyert, duke mos lejuar futjen në këto ambiente.

Edhe studentët e rretheve i janë bashkuar protestës në Tiranë, pasi siç studentët kishin paralajmëruar kjo e sotmja është një protestë kombëtare.

Studentët në ditën e 13-të radhazi këmbëngulin në plotësimin e 8 kërkesave të tyre pa dialog si dhe nuk duan që ky tubim masiv të marrë ngjyrime politike.

Ndërkohë, pavarësisht protestës për dy javë radhazi të studentëve, kreu i qeverisë, Edi Rama, nuk u ka lënë zgjidhje tjetër përveç dialogut, gjë të cilën e ka shprehur në Kuvendin e Shqipërisë dhe nëpër postime në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë