Sot vijon dita e 13-të e protestës, gjatë së cilës studentët kanë marrë vendim për përshkallëzim të veprimeve të tyre. Një hap i parë i këtij përshkallëzimi ishte sot bllokimi i disa akseve rrugore ne kryeqytet.
Më herët gjatë paradites në tubimin përpara Kryeministrisë shënuar edhe një incident i shkurtër . Studentët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestës, ndërsa do të bllokojnë rrugët. Protestuesit do të bllokojnë tri pika të rëndësishme në Tiranë, Zogun e Zi, kryqëzimin përballë Bankës së Shqipërisë dhe Kryeministrinë. Më herët, një grup protestuesish kanë dashur të dalin nga ana anësore e Kryeministrisë (në krah të Piramidës), por shumë të tjerë kanë qenë kundër kësaj ideje. Kjo ka sjellë edhe “përplasje” mes vetë protestuesve.
Ditën e sotme, policia zgjeroi edhe perimetrin e sigurisë, pasi ka pasur shumë studentë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Inxhinieria e Ndërtimit. Ndërsa, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë bllokuar rrugën te ‘Nëntë Katëshet’.
Gjatë protestës një person ka hedhur tymuese në drejtim të Kryeministrisë, e ndërkohë studentët kanë kërkuar largimin e tij nga protesta.
Ndërkohë nëpër fakultete në orët e para të mëngjesit viheshin re shirita apo edhe zinxhirë në mënyrë që të ndalohet hyrja e studentëve, pedagogëve, por edhe administratës.
Ky veprim është bërë nga studentët e Politeknikut dhe të Ekonomikut, të cilët kanë mbyllur dyert, duke mos lejuar futjen në këto ambiente.
Edhe studentët e rretheve i janë bashkuar protestës në Tiranë, pasi siç studentët kishin paralajmëruar kjo e sotmja është një protestë kombëtare.
Studentët në ditën e 13-të radhazi këmbëngulin në plotësimin e 8 kërkesave të tyre pa dialog si dhe nuk duan që ky tubim masiv të marrë ngjyrime politike.
Ndërkohë, pavarësisht protestës për dy javë radhazi të studentëve, kreu i qeverisë, Edi Rama, nuk u ka lënë zgjidhje tjetër përveç dialogut, gjë të cilën e ka shprehur në Kuvendin e Shqipërisë dhe nëpër postime në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










Lini një Përgjigje