Lajme

Rama: Fondet për sipërmarrësit janë, duam projekte të kopsitura!

Kryeministri Edi Rama ka vizituar në Berat fabrikën “Gjedra”, që merret me bimët medicinale. Një fabrikë ka 60 punëtorë, ndërsa 2700 fermerë angazhohen me mbledhjen dhe përpunimin e bimëve medicinale. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama theksoi se qeveria ka vullnetin e mirë të mbështesë sipërmarrësit në idetë dhe strategjitë e tyre novatore. Por ai u shpreh se më parë duhen kopsitur mirë dokumentet dhe projektet nga sipërmarrësit, sepse nuk ka para për të hedhur kot:

“Kemi gjithë vullnetin dhe mundësitë e reja janë të jashtëzakonshme, sepse bëhet fjalë për një volum fondesh shumë të madh, por, siç e kemi mësuar nga jeta me perëndimin, ku ti eksporton, duhen letrat mirë të kopsitura, idetë e qarta, strategjia e qartë dhe në fund paratë janë. Por para “hajde se po i hedhim”, s’ka,” – iu drejtua Kryeministri Rama pronarit të fabrikës.

Sipërmarrësi i fabrikës “Gjedra” ka pohuar se lehtësitë fiskale në vitet e fundit e kanë ndihmuar për përmirësimin e biznesit të tij: “Kemi rreth 25 vjet që punojmë me eksportimin e bimëve medicinale. Punojmë me të gjithë Europën dhe me Amerikën prej kaq vitesh. Eksportojmë rreth 800 ton sherebelë. Kemi 60 punëtorë dhe gjysma e tyre punojnë këtu prej 25 vitesh, por kemi edhe rreth 2700 fermerë të trajnuar për mbledhjen e rigonit, sherebelit, trumzës, etj. Mund të shtojmë 60 punëtorë të tjerë, sepse do të shtojmë edhe frutat. Duhet të bëjmë investime që të zgjerojmë hapësirat”, – tha sipërmarrësi i fabrikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë