Futboll

Mbrëmja magjike e Zaniolo, italiani vendos rekord në Champions

Që Nicolò Zaniolo ka diçka speciale, kjo është kuptuar që prej disa muajsh, ku talenti italian ka shënuar gola të rëndësishëm për Romën. Brilant edhe në nivelin e lojës. Por mbrëmjen e 12 shkurtit, në ndeshjen e parë eliminatore në Champions League kundër Portos, ylli i ri i Romës ka marrë skenën, duke shënuar dy golat e fitores dhe duke vendosur një rekord për futbollin italian në këtë kompeticion.

Ai ka treguar se është në gjurmët e Françesko Totit. 19-vjeçari është i destinuar të ketë një të ardhme të ndritur dhe Interi po e vajton që tani largimin e këtij xhevahiri. Pas ndeshjes që u mbyll 2-1, Zaniolo komentoi me buzëqeshje: “Një natë magjike, e paharruar për mua. Jam vërtet i lumtur, sepse realizova një nga ëndrrat e fëmijërisë. Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim ndeshjen mirë, bëmë atë që na kërkoi trajneri, nuk lamë hapësira dhe goditëm në kundërsulm. Tani duhet të shkojmë në Portugali për të siguruar kalimin e turit”.

Zaniolo duke festuar një nga golat ndaj Portos me Edin Xheko

Zaniolo ka djegur një tjetër etapë të karrierës së tij me dygolëshin e shënuar në “Olimpico” ndaj Portos. Ai është lojtari më i ri italian që shënon një dopietë në një ndeshje të Championsit modern. Një rekord, që e bën edhe më të magjishme mbrëmjen e lojtarit të ri. “Këtë mbrëmje nuk do ta harroj kurrë. Të shënosh në “Olimpico” dhe të shkosh të festosh me ata tifozë, është një emocion unik, që nuk mund të shpjegohet me fjalë. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola të tjerë poshtë tribunës së ultrasve tanë. Por tani le të mendojmë për ndeshjen e kthimit, sepse ai gol i pësuar mund të jetë i rrezikshëm”, – ka theksuar talenti i Romës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë