Politike

A do të kërkonte votbesim në bazë? Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar, Berishës i ka mbaruar koha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha të hënën se, “rruga që Sali Berisha ka zgjedhur nuk ka asnjë lidhje me vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti”.

Në një intervistë për “Vizion Plus”, Basha shpjegoi se pse kishte ndryshuar qëndrim ndaj Berishës qysh prej 9 shtatorit kur mori vendimin ndaj tij, por nuk dha përgjigje se a besonte ai që Berisha ishte i korruptuar dhe minues i demokracisë siç e ka shpallur DASH.

I pyetur konkretisht se a është Berisha një politikan i korruptuar, Basha u përgjigj:  “Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën se si është sjell”

Basha tha gjithashtu se Kuvendi i 18 dhjetorit është një Kuvend bashkimi edhe pse paralajmëroi sërish se kush ka shkelur statutin (përfshi edhe Berishën) do merren masa konkrete.   

“Nuk ka Kuvend përjashtimi, ka Kuvend bashkimi. Dhe çdokush e përcakton raportin me demokratët në bazë të qëndrimit që mban me interesat elektorale dhe politike të Partisë Demokratike dhe në raport me Statutin e Partisë Demokratike. Nuk është kjo një hordhi dumbabistësh ku secili bën si t’i thotë mendja apo dikush është më i barabartë se të tjerët dhe i mbivendoset dikujt tjetër. Jo. Statuti është i qartë. ka një Kuvend, një Parti Demokratike, e cila do të marrë vendime jo për hallet personale të askujt po për hallet e shqiptarëve dhe në raport me Platformën Qytetare për Demokraci, do t’i japë formë, do t’i japë substancë një lëvizje popullore e cila ngërthen interesat e shumicës sepse ajo që kemi sot në Shqipëri është një pakicë e vogël njerëzish, pushtetarësh, politikanësh, oligarkësh, faktorësh të krimit të organizuar që mbajnë të gjithë Shqipërinë në duart  e tyre duke u pasuruar, duke u bërë gjithnjë e më të pushtetshëm përballë një shumice e cila po varfërohet ditë për ditë dhe si rezultat një pjesë e madhe po shikon largimin si të vetmin shpëtim”.

Duke folur gjithnjë në emër të shumicës, a do të kërkonte Basha një votëbesim në bazë?

“Këto janë pyetje, të cilat kanë marrë përgjigje shteruese, përmes proceseve që ne sapo kemi përfunduar. Asgjë nuk ka ndryshuar. Më 9 shtator, përveç marrjes së një vendimi nga kryetar i Partisë Demokratike, vendim që i takonte Sali Berishës, i cili e premtoi dhe nuk e bëri. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar, e vetmja gjë që do të ndryshojë, më 18 dhjetor, është që kuvendi i demokratëve dhe për demokratët do ta tregojë qartë që kjo parti nuk mbahet peng i interesave personale të askujt, por është dhe do të mbetet një aset në duart e shqiptarëve dhe do të përdoret vetëm për aspiratat e tyre dhe natyrisht për problemet e tyre”.

Basha u pyet edhe pse sot sulmon Ilir Metën.  

“E para e punës, as unë dhe as demokratët nuk kemi asnjë borxh Ilir Metës dhe nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat. E vetmja gjë që unë kam për shtuar, përveç asaj që kam thënë përpara, është që t’ju kërkoj një ndjesë të thellë, edhe si kryetar, por edhe në emër të strukturave drejtuese, që se kemi dëgjuar më mirë dhe më qartë zërin e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë