Joe Biden u ka kërkuar shërbimeve sekrete të “dyfishojnë përpjekjet e tyre dhe të përgatisin një raport mbi origjinën e Covid-19 brenda 90 ditësh”.
Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan zbulon “se ai tashmë ka marrë një raport të parë”, por ai nuk është i kënaqur.
“Ne duhet të ecim përpara në dy skenarë të mundshëm: virusi mund të ketë dalë nga kontakti midis njerëzve dhe kafshëve të infektuara; ose mund të ketë rezultuar nga një incident laboratorik”.
Biden njofton se qeveria e SHBA-ve, në marrëveshje me partnerët botërorë, “do të vazhdojë të këmbëngulë ndaj Kinës, në mënyrë që ajo të mund të marrë pjesë në një hetim ndërkombëtar, plotësisht transparent dhe i bazuar në të dhëna shkencore”.
Pozicionin e Uashingtonit, e ndajnë Bashkimi Evropian dhe 13 vende të tjera. Komuniteti ndërkombëtar i virologëve, duke filluar me Anthony Fauci-n, po përpiqet të ndajë shkencën dhe politikën. Nuk është një ndërmarrje e lehtë, pasi që nga janari 2020, debati mbi daljen e pandemisë është ndotur nga teoritë e konspiracionit, pjesërisht i nxitur edhe nga Donald Trump. Në qendër të vëmendjes është Instituti i Virologjisë në Wuhan, qyteti shkaktar i pandemisë.
Dyshimet dhe epruvetat

Pista e një eksperimenti që shkoi keq, ka marrë jetë disa muaj më parë. Për cilën arsye? Përgjigjja është e lehtë: misionet dhe hulumtimet e kryera nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk kanë dhënë rezultate bindëse. Në maj të vitit 2020, OBSH-ja promovoi një studim të përbashkët me shkencëtarët kinezë. Pastaj në shkurt 2021, një ekip ndërkombëtar vizitoi Wuhan-in.
Një mision i konsideruar “pak më shumë se një farsë” nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, me Biden ndërkohë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Gjithsesi, rezultati është në një dokument prej 313 faqesh, i publikuar në sajt në 30 mars 2021, bazuar në të dhënat e ekzaminuara midis 14 janarit dhe 10 shkurtit 2021.
Analiza konkludon se “ka shumë të ngjarë” që infeksioni të jetë u transmetuar nga kafshët (ndoshta lakuriqët e natës) te njerëzit; ndërsa është “shumë e pamundur” që virusi të zhvillohet në laboratorët e Wuhan-it. Në realitet dhe ky është pasazhi kryesor, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një hipotezë tjetër.
Dyshimet e shkencëtarëve

Komuniteti shkencor ndërkombëtar, po ndjek përpjekjet e OBSH-së me mëdyshje në rritje, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Disa virologë disa herë kanë dalë hapur me versionin e tyre.
Nisma më efektive, është një letër e publikuar më 13 maj nga revista “Science”.
“Kërkimi u ndërtua në bazë të të dhënave të siguruara nga shkencëtarët vendas; të tjerët nuk kishin qasje të drejtpërdrejtë në hetimet në terren. Për më tepër, megjithëse nuk ka prova në një drejtim ose në një tjetër, raporti është jashtëzakonisht i paekuilibruar”, – shkruajnë 18 specialistët nga qendrat e nivelit të lartë të studimit (14 SHBA, 2 Kanada, 1 Mbretëria e Bashkuar dhe 1 Zvicra), të cilët nënshkruan letrën.
“Nga 313 faqe, vetëm katër i kushtohen hipotezës së një aksidenti në laborator; e gjithë pjesa tjetër eksploron mundësinë e një transmetimi midis kafshëve dhe njerëzve”.
Debati midis shkencëtarëve, stimulon kuriozitetin e medias dhe në të njëjtën kohë, inkurajon rrjedhjet e lajmeve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalin dosjet që kanë mbetur sekrete për muaj të tërë. Më 24 maj, gazeta amerikane “Wall Street Journal” publikoi një raport të inteligjencës amerikane, që zbuloi se si, në nëntor 2019, tre studiues nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, ishin sëmurë në të njëjtën kohë.
Të tre përfunduan në spital me “simptoma të përputhshme si me gripin Covid-19 ashtu edhe me gripin sezonal”. Kartat e shërbimit, pra, nuk janë vendimtare.
Versioni i Pekinit

Për muaj me radhë, kinezët kanë argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i fajësojnë ata për origjinën e virusit për të mbuluar “dështimin e tyre për të reaguar ndaj pandemisë”.
Tani ata mendojnë se raporti i inteligjencës iu dorëzua “Wall Street Journal” për të bërë zhurmë në prag të mbledhjes së përgjithshme të OBSH-së.
Dr. Yuan Zhiming, drejtor i Laboratorit të Biosigurisë në Wuhan, thotë se “kjo histori është një gënjeshtër e ndërtuar mbi asgjë”. Në fakt, informacioni mbi tre studiuesit e Institutit të Virologjisë, të cilët u sëmurën në nëntor 2019 nuk ishte i ri, aq sa Marion Koopmans, një virologe e dërguar në Wuhan, me misionin e OBSH-së janarin e kaluar, gjithashtu e kishte diskutuar atë në publik: “Është normale që dikush të jetë i sëmurë në vjeshtë, nuk kemi gjetur ndonjë gjë të madhe”.
Vizita e drejtuar

Pastaj është përgjigjja për efektivitetin e misionit të shkurtit. 17 ekspertët ndërkombëtarë në Wuhan, punuan me 17 kolegë kinezë, të cilët i udhëzuan dhe mbikëqyrën ata në çdo lëvizje, madje edhe duke i çuar në laborator (3 mijë metra katrorë, të përfunduar në 2015-ën me një kosto prej 42 milionë dollarë dhe plotësisht funksionalë që nga viti 2018).
Qëndrimi i tyre zgjati një muaj, por ata kaluan 14 ditë në karantinë të mbyllur në një hotel. Në raport, i publikuar në mars, ekipi i OBSH-së e quajti “jashtëzakonisht të pamundur” një gabim gjatë kërkimit shkencor kinez mbi koronaviruset dhe nuk gjeti “dështim të sigurisë”.
Sidoqoftë, studimi pranon mungesën e “raw data”, të dhëna të papërpunuara në regjistrat mjekësorë të pacientëve të parë të identifikuar.
Mirëpo kolegët kinezë u përgjigjën: “Sipas legjislacionit tonë, disa të dhëna nuk mund të dorëzoheshin ose fotografoheshin, por ne i analizuam ato së bashku me kolegë të huaj dhe të gjithë ishin në gjendje të shihnin bazën e të dhënave”.
Të dhënat kryesore

Në muajt e fundit, midis të dyshuarve për një dalje të mundshme të Sars-CoV-2 nga laboratori, ishte Shi Zhengli, kinezja e famshme e njohur tashmë për kostumin e saj mbrojtës në laborator, “Bat Woman”, e cila për 15 vjet hulumtoi shpellat e provincës jug-perëndimore të Yunnan-it, të infektuara nga lakuriqët e natës.
Virologia raportoi se ajo mori një telefonatë në 30 dhjetor 2019, ndërsa ishte në një konferencë në Shangai: “Ai ishte drejtori i Institutit të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve Virale, nga Wuhani. Ata kishin gjetur një koronavirus të ri në dy pacientë me pneumoni”.
Shi Zhengli, pranoi se menjëherë filloi të dyshonte për diçka të tmerrshme: “A mund të kishte dalë nga laboratori ynë?”. Duke u kthyer në qytet, ajo konstatoi se nuk ishte e mundur: “Unë mund ta garantoj këtë gjë me jetën time”.
Është spekuluar gjithashtu se njerëzit e infektuar nga lakuriqët e natës, e sollën infeksionin në Wuhan. “Asnjë banor i asaj zone nuk ka pasur Covid-19. Kështu, teoria se pacienti zero jetonte afër zonës minerare Tongguan në Yunnan dhe më pas udhëtoi në Wuhan është e rreme”, – përfundoi shkencëtarja.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje