Belind Këlliçi ka deklaruar se opozita është në periudhë reflektimi pas humbjes së zgjedhjeve më 14 maj.
Në një deklarim për mediat, para mbledhjes së kryesisë së thirrur nga Sali Berisha, Këlliçi u shpreh se të gjithë janë koshient që zgjedhjet “janë vjedhur dhe manipuluar”.
Sa i takon bashkimit të PD, ai tha se do të diskutohet për të gjetur mënyra me qëllim që të kapërcehet çdo hatërmbetje.
I pyetur për lidershipin e ri, Këlliçi deklaroi se “ka ikur koha e dëshirave personale” dhe për këtë proces, sipas tij, shprehet qartë statuti.
“Ne jemi në periudhë reflektimi por kjo nuk do të thotë se vjedhja nuk ka ndodhur, kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur manipulim. Ende sot unë nuk gjej dot një socialist që të thotë se këto zgjedhje ishin të ndershme.
Mbledhja e sotme do të adresojë të gjitha problematikat. Pikë së pari duke nisur nga problemet që ne kemi pasur para procesit zgjedhor, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe më pas.
Sigurisht është një periudhe reflektimi për ca nuk ka shkuar mirë brenda nesh. Por nga ana tjetër duhet të vëmë gishtin në plagë dhe të flasim për zgjedhjet. Zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka pasur, për ketë jeni koshient.
Do të duhet të gjejmë mënyra për të kapërcyer çdo hatërmbetje dhe për t’iu përgjigjur më mirë shoqërisë”, tha Këlliçi.
Por çdo të thotë reflektim sipas Këlliçit? A do të thotë krahas të tjerave edhe largim i lidershipit të partisë?
“Nuk e di. Mbase mund ta shihni edhe fjalorin e gjuhës shqipe, që nuk lidhet reflektimi me dorëheqjen. Reflektim do të thotë që ne do të shohim çfarë nuk ka shkuar mirë brenda nesh. Në lidhje me lidershipin mjafton të shikoni statutin, dhe e merrni përgjigjen. Pra ka ikur koha e dëshirave personale. Shihni statutin e PD, statuti e ka mjaft të qartë këtë çështje dhe e zgjidh. Kjo është një çështje reflektimi e të gjithëve që do të duhet të shohim çfarë nuk ka shkuar mirë, kaq e thjeshtë është”, tha ai.
Po çfarë thotë statuti i “Rithemelimit” apo i PD-së së drejtuar nga Sali Berisha? Që drejtuesi i forcës politike largohet nga ai post nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Në rast se humbet zgjedhjet lokale, kryetari i një partie votëbesohet nga Këshilli Kombëtar.
Që do të thotë se në këtë fazë Sali Berisha thjesht votëbesohet në Këshill, një proces ky që do të vijë në një fazë të dytë, pasi të plotësohet dosja për atë që ata e cilësojnë si vjedhjen e zgjedhjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje