Politike

Shembja e Teatrit: Gjykata mbylli ca dyer dhe hapi ca të tjera

Gjykata Kushtetuese thotë se nuk gjeti dakordësinë e 5 anëtarëve të saj, sa është kuorumi i nevojshëm për t’u shprehur në lidhje me vendimin e 14 prillit 2020 të Këshillit Bashkiak të Tiranës që çoi në prishjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar.

Rrjedhimisht, kërkesa e për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të 14 prillit 2020 u rrëzua. Kjo ka shkaktuar disa amulli dhe pretendime se me këtë qëndrim, Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar shembjen e godinës së Teatrit.

Në fakt, dilemat që lë pas vendimi janë të shumta dhe për zbardhjen e tyre duhet pritur vendimi i arsyetuar i gjykatës, që duhet të publikohet brenda 45 ditëve. Deri atëherë pyetjet që ngrihen janë disa. Mes tyre është kryepyetja nëse vetë shembja e godinës së vjetër ishte apo jo kushtetuese?

Kjo pyetje mbetet pa një përgjigje të prerë dhe lë të hapur hamendësimet. Gjykata ka shfuqizuar VKM-në që i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin prej 5.5 mijë metrash/katrorë, duke ja rikthyer pronësinë e këtij trualli Qeverisë, më saktësisht Ministrisë së Kulturës.

Kjo do të thotë se Bashkia e Tiranës nuk mund të zbatojë më projektin e godinës së re të teatrit kombëtar, por jo domosdoshmërisht, të paktën ende pa u zbardhur vendimi, nuk ndalohet që i njëjti projekt të zbatohet nga një organ tjetër, që në këtë rast mund të jetë Qeveria.

Sa i takon shfuqizimit të ligjit special për të 2018-ës, ky vendim është pa asnjë efekt faktik, pasi vetë Qeveria dhe Bashkia e Tiranës u tërhoqën nga ky ligj më shumë se një vit më parë duke deklaruar se godina e re do të ndërtohej nga buxheti i bashkisë dhe jo me partneritet publik-privat siç përcaktonte ligji në fjalë.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dy paditë e Presidentit Meta që kishin të bënin me shfuqizimin e ligjit special për teatrin dhe vendimin e Qeverisë për kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë në seancën e 3 qershorit.

Padia e parë e Presidentit, ajo kundër ligjit special u depozitua në korrik 2019. Ai kërkoi shpalljen si antikushtetues të ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Në maj 2020, vetëm tre ditë para shembjes së godinë (më 17 maj 2020), Presidenti depozitoi padinë e dytë me objekt shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë