Partia Socialiste është e gatshme që të diskutojë në Kuvend me Partinë Demokratike propozimin për vettingun e politikanëve, megjithëse në fund të 2018-s, një nismë e ngjashme e opozitës u rrëzua nga socialistët, pas një opinioni negativ të ekspertëve të Komisionit të Venecias.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi në një dalje para gazetarëve se nuk ka ende një propozim zyrtar nga PD e për këtë arsye as PS nuk mund të ketë një qëndrim për këtë nismë. Balla tha se qëndrimi i mazhorancës do të mësohet kur propozimi të diskutohet në Kuvend.
Ai premtoi se pozicionimi i socialistëve do të kushtëzohet nga vlerësimi i ekspertëve. Një vlerësim ekspertësh për vettingun në politikë është edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias në 2018-n, që e rrëzoi propozimin e PD.
Propozimi i PD i tre viteve më parë bazohej te tri shtyllat e vettingut që po kryhet në reformën në drejtësi, pra integriteti, pasuria dhe profesionalizimi. Në opinionin e saj, Venecia njohu qëllimin legjitim të nismës së PD në atë kohë për të larguar nga jeta politike personat që nuk justifikojnë pasurinë, apo me lidhje të dyshimta me krimin.
Por, Venecia tha se nismës i mungonte qartësia juridike, që nuk jepnin garanci, nuk përcaktonin organin që do të kryente këtë vetting dhe linin shteg për abuzime me pushtetin.
Ndërkohë, sa i takon vettingut në drejtësi dhe zgjatjes së afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që skadon në qershor të vitit tjetër, Balla tha se nuk ka nevojë për negociata për këtë çështje, sepse palët kishin dhënë dakordësinë në 2016, atëherë kur votuan me 140 vota pro reformën në drejtësi.
Balla tha se sot kjo është një çështje teknike dhe propozim i partnerëve ndërkombëtarë dhe politika duhet të qëndrojë larg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje