Nga Gazeta Si- Kryetari i Grupit Parlamenetar të PD, Gazment Bardhi, arriti këtë javë një dakordësi me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për miratimin e Amnistisë Penale, një ligj që kërkon 84 vota.
Disa javë më parë, kur grupi i drejtuar nga Gazment Bardhi, ishte në protestë, grupi i Lulzim Bashës refuzoi ta miratojë për shkak të një ndryshimi të minutës së fundit që lehtësonte një kategori zyrtarësh të dënuar për korrupsion. Por, me rikthimin në normalitet të punimeve të Kuvendit, ndryshuan dhe interlokutorët e qeverisë.
Me propozimin e Gazment Bardhit, ky nen që kundërshtinte Basha dhe gjithë opozita ra, por disa dyshime mbetën. Kryetari i PD zyrtare deklaroi se dakordësia ishte një pazar me Ramën për të amnistuar drejtorët e korruptuar të Ramës. “Nuk është hera e parë që pafuqia politike dhe padija juridike e nxjerrin zbuluar zoti Basha.”- tha Gazment Bardhi në një intervistë për Gazeta Si. Ai renditi disa argumenta për të sqaruar se askush nga ata që hetohen për korrupsion ose janë dënuar për këtë vepër nuk përfiton asgjë nga amnistia penale. “Kushdo që ju thotë të kundërtën, ju gënjen paturpësisht me shpresën për të rimëkëmbur kredon e rrënuar politike.”- tha zoti Bardhi.
Gazeta Si: Zoti Bardhi, pse është krijuar idea se ju propozuat disa nene në amnistinë penale nga të cilët përfitojnë zyrtarë të korruptuar të qeverisë, qofshin këta dhe të niveleve të ulëta?
Gazment Bardhi: Nuk qëndron ky përkufizim. Nuk kemi propozuar dhe nuk kemi mbështetur asnjë nen që lehtëson korrupsionin, në asnjë nivel të qeverisjes. E kuptoj që njerëzit, por dhe gazetarët, shpesh, janë të prirur të dëgjojnë dhe të besojnë të pa vërtetën. E kuptoj dhe luftën politike, por në këtë rast, janë energji të çuara dëm, sepse grupi parlamentar i PD, as nuk ka propozuar, as nuk ka mbështetur ndonjë nen që lehtëson veprën e korrupsionit. Madje, ekspertët e Grupit të PD-së kanë kryer edhe verifikimin e përfituesve faktikë të amnistisë nëpërmjet të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të arritur në konkluzionin se nga aministia nuk përfitonte asnjë person i dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
Gazeta Si: Që prej të enjtes, PD zyrtare dhe zoti Basha këmbëngulin se ju e bëtë këtë për të shpëtuar drejtorët e korruptuar të zotit Rama. Çfarë qëndron nga ky konstatim?
Gazment Bardhi: Nuk është hera e parë që pafuqia politike dhe padija juridike e nxjerrin zbuluar zoti Basha. Në vend të fjalëve, do të flasin veprat. Do të duhet të presim disa ditë që ligji i amnistisë të hyjë në fuqi dhe të bëhet funksional që të kuptohet sesa larg të vërtetës është kjo deklaratë dhe ky qendrim. Jo vetëm drejtorët e korruptuar të Ramës nuk përfitojnë, por as edhe një zyrtar i lartë i zgjedhur. Funksionarët apo ish-funksionarët që kanë mbajtur detyrat e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvëndësministrit, anëtarit të KLGJ-së dhe KLP-së dhe drejtuesve të institucioneve qëndrore ose të pavarura, të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj nuk përfitojnë asgjë nga amnistia. Pra, nuk përfitojnë asnjë lloj lehtësie. Asgjë, nothing, nicht, niente, nada! Kushdo që ju thotë të kundërtën, ju gënjen paturpësisht me shpresën për të rimëkëmbur kredon e rrënuar politike.
Gazeta Si: T’ju citoj dhe njeherë zotin Basha, por shpresoj të mos fokusoheni tek ai, por te thelbi. Ai ju ka quajtur pazarxhinj në krah të Ramës me nenet e amnistisë për korrupsion. E bën këtë pa asnjë bazë?
Gazment Bardhi: Është për të ardhur keq sesa poshtë ka rënë ajo pjesë e PD, e drejtuar nga Lulzim Basha. Unë e kuptoj që kjo është një propagandë diletante, në përpjekje për t’i hequr opozitës ndonjë votë, për të thënë që të gjithë janë njësoj dhe se na bashkojnë vetëm pazaret. Kjo mund të jetë mënyra e vjetër sesi kanë operuar udhëheqësit politikë për të mbijetuar. Unë s’jam kjo lloj prerje. Nuk bëj pazar me parimet e shtetit të së drejtës. Nuk bëj pazar për përfitime personale, në kurriz të kolegëve, anëtarëve të PD apo qytetarëve që na mbeshtesin me votë. Për të sqaruar më konkretisht dhe shpresoj përfundimisht këtë keqkuptim të krijuar me dashje nga ata që nuk duan forcimin e opozitës, do të jap detajet juridike. Ne nuk parashikuam gërmën “a”, të nenit 75/a, të Kodit të Procedurës Penale, që citon veprat që ka merak zoti Basha. Nuk e bëmë këtë, sepse të gjitha këto vepra penale janë përjashtuar shprehimisht nga përfitimi i amnistisë në nënin 4 të amnistisë penale. Pra, ishin të parashikuara si ndalim, pa qenë e nevojshme ndërhyrja jonë. Në këtë nen, bëjnë pjesë, gjithashtu, të gjitha veprat penale kundër autoritetit të shtetit, kundër autoritetit të drejtësisë dhe veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të parashikuar nga neni 75/a, gërma “a”, e Kodit të Procedurës Penale. Jua përsëris edhe një njëherëtjetër. Kushdo që ju thotë ndryshe, ju gënjen!
Gazeta Si: Për shkak të natyrës teknike tëamnistisë dhe të betejës së munguar prej jush për të sqaruar paraprakisht qendrimin ndaj neneve sensitive të korrupsionit, ia keni ulur besueshmërinë opozitës për vullnetin e saj nëluftën kundër korrupsionit?
Gazment Bardhi: Besoj fort se shqiptarët janë shumë më të mençur sesa kaq! Grupi Parlamentar i PD dhe PD kanë bërë beteja të mëdha kundër korrupsionit. Nëse sot shihni ministra dhe drejtorë të rëndësishëm para drejtësisë, janë për shkak të denoncimeve të PD-së. Një trillim si ky për gjoja amnistimin e korrupsionit prej nesh, mund të përziejë disa ujra për një ose dy ditë, por është nje gënjeshtër që nuk rri dot gjatë në këmbë. Mbështetja jonë ndaj luftës kundër korrupsionit është treguar me vepra dhe jo më fjalë. Kush do që korrupsioni të luftohet, që të korruptuarit të shkojnë prapa hekurave çon faktet në SPAK. Që kur është krijuar Prokuroria e Posaçme e deri më sot qeveria ka prodhuar zero mbështetje për SPAK në këtë drejtim. Zero denoncim antikorrupsion. Ne kemi bërë të kundërtën, sepse ne duam që Shqipëria të mos vidhet, por të zhvillohet. Ne duam që Shqipëria të mos mbetet në vend numëro, por të bëhet anëtare e Bashkimit Europian me një qeveri që nuk vjedh zgjedhjet, nuk vjedh taksat, nuk varfëron vendin, por e prosperon atë përmes zbatimit të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje