Shqipëria nuk është pengesë për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO, madje mbështet pa rezerva aplikimin e dy vendeve, duke e treguar këtë me miratimin me shpejtësi të këtyre aplikimeve.
Megjithatë, kryeministrja finlandeze, Sanna Marin realizoi këtë të martë një vizitë të shkurtër në Tiranë, ku u takua me Kryeministrin Edi Rama. Pas takimit dypalësh dhe me delegacionet përkatëse, të dy dolën me një deklaratë për shtyp, pa pyetje nga gazetarët.
Lidhjet e Shqipërisë me Finlandën e largët janë të pakta, megjithëse marrëdhëniet janë vendosur që prej mesit të viteve ’50-të të shekullit të kaluar. Por, çfarë e solli në Tiranë me kaq urgjencë kryeministren finlandeze?
Aplikimi i Finlandës dhe i Suedisë për anëtarësim në NATO është përballur me qëndrimin kundër të Turqisë. Ankaraja ka premtuar se do të vendosë veton me arsyetimin se të dyja vendet mbështesin terrorizmin, duke iu referuar qëndrimit të tyre për kurdët.
Për këtë qëllim, ndonëse në deklaratën publike e zyrtare nuk u përmend në asnjë gërmë, qëllimi i vizitës së Sanna Marin në Tiranë me shumë mundësi ka qenë kërkesa për ndihmë nga Edi Rama, që të shfrytëzojë marrëdhënien që ka me Recep Taip Erdogan, që Presidenti turk të ndryshojë mendje në lidhje me veton.
A do të lobojë Rama në veshin e Erdogan për këtë çështje dhe a do të dëgjohet ky lobim në të ardhmen? Koha do t’i japë përgjigje. Gjithsesi, nëse vetoja turke nuk hiqet, SHBA ka një plan rezervë që ‘de jure’ nuk e bën anëtare as Finlandën, dhe as Suedinë, por praktikisht po. Sipas këtij plani, SHBA do të hapë baza dhe ofrojë mbështetje ushtarake në kuadër të aleancës për të dyja këto vende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje