Ne rrjet

A po përgatitet vajza ‘e dashur’ e Kim Jong-unit për fronin? Fotot, pjesë e një programi të planifikuar

Vajza e Kim Jong-un po shfaqet shpesh kohët e fundit në publik. A do të jetë ajo liderja e ardhshme e Koresë së Veriut? Do të ishte shumë e pazakontë në vendin shumë patriarkal.

Gazeta Si – Media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka zbuluar shumë për vajzën me fytyrë engjëlli, e cila ka bërë disa paraqitje publike me Kim Jong-un, udhëheqësin e vendit, javët e fundit.

Ditën e Vitit të Ri, ata publikuan foto pa datë, të saj dhe Kim duke vizituar një objekt raketash bërthamore. Emri dhe mosha e vajzës nuk u bë e ditur, por vetëm u referua si “vajza e dashur e Kim”.

Kaq ka mjaftuar për të ngritur pikëpyetje për vendin e vajzës në linjën dinastike të familjes Kim. Menjëherë dolën thashethemet se ajo është duke u menaxhuar si pasardhëse e Kim-it.

Koreja e Veriut nuk është një monarki. Udhëheqësi Suprem supozohet se zgjidhet nga Kongresi i Partisë së Punëtorëve.

Në realitet, Kim-ët e kanë drejtuar vendin komunist si një biznes familjar privat që nga fillimi i tij në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Gjyshi i Kim dhe babai i tij, mbretëruan deri në vdekjen e tyre. Kim Jong-un, i cili të dielën mbush 39 vjeç, është në pushtet për 11 vjet dhe nuk ka gjasa të largohet së shpejti.

Megjithatë, çështja se kush do të trashëgojë regjimin – dhe arsenalin e tij bërthamor në rritje – mbetet subjekt i magjepsjes së pafund midis zyrtarëve dhe analistëve, veçanërisht pasi janë ngritur dyshime për shëndetin e Marshallit.

PROVAT E ARMËVE

Spekulimet rreth planeve të trashëgimisë së Koresë së Veriut u shpalosën, ndërsa Seuli dhe Uashingtoni thanë këtë javë se po diskutojnë se si të kundërshtojnë më mirë kërcënimin bërthamor në rritje të Koresë së Veriut, duke përdorur gamën e plotë të aseteve të mbrojtjes të SHBA-ve.

Supozimet e fundit mbi trashëgiminë, filluan pasi Koreja e Veriut lëshoi raketën e saj balistike ndërkontinentale Hëasong-17, një nga testet më të rëndësishme të armëve të vendit, më 18 nëntor.

Të nesërmen, media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi se Kim kishte parë lëshimin e raketës me vajzën e tij dhe fotot e vajzës, me një xhaketë të bardhë të veshur me tegela, ishin publikuar duke mbajtur dorën e Kim-it teksa po ecte përreth vendit të testimit.

Ditë më vonë, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Koresë së Jugut, e identifikoi vajzën e vogël si Kim Ju-ae, foshnjën që ish-ylli i basketbollit NBA, Dennis Rodman, tha se ishte lejuar ta mbante në krahë kur u takua me Kimin në vitin 2013 në Phenian.

Dalja publike e Ju-ae ishte hera e parë që Pheniani konfirmoi se Kim ka një fëmijë. Deri në debutimin e saj në mediat shtetërore, koreano-veriorët e zakonshëm nuk kishin parë kurrë një fëmijë të Kim.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës së Koresë së Jugut, Kim ka tre fëmijë, më i madhi prej të cilëve ka të ngjarë të jetë një djalë. Ju-ae është fëmija i tij i dytë, ndoshta nëntë ose dhjetë vjeç.

Sipas analistëve të jashtëm, ajo cilësohet si “e dashur” dhe është zgjedhur të përfaqësojë brezin e ardhshëm të familjes Kim.

Ata janë gjithashtu të intriguar nga vendimi i Kim për ta prezantuar atë me publikun e gjerë në një terren testimi të raketave, duke theksuar lidhjen midis familjes Kim dhe programit të armëve të Veriut.

VESHJE FORMALE

Spekulimet e trashëgimisë u intensifikuan kur Ju-ae iu bashkua babait të saj, këtë herë në fund të nëntorit për një foto në grup me teknikët e raketave.

Ajo ishte veshur më formalisht për këtë rast, me një pallto të gjatë të zezë me jakë gëzofi.

Dora e saj ishte mbi shpatullën e babait të saj, ndërsa ai u ul përpara turmës së inxhinierëve brohoritës. Gjeneralët e lartë iu përkulën asaj.

“Fotografitë me gjasë janë pjesë e një programi të hartuar me kujdes për t’u treguar koreano-veriorëve se Kim Ju-ae do të jetë pasardhëse”, – tha Cheong Seong-chang, një studiues i vjetër i familjes Kim në Institutin Sejong në Korenë e Jugut.

Nëse Kim zgjedh një vajzë në vend të një djali si trashëgimtar të fronit, do të ishte shumë e pazakontë në Korenë e Veriut shumë patriarkale.

Por vetë Kim ishte një zgjedhje e pamundur për t’u bërë udhëheqës i vendit. Më i riu nga tre djemtë, Kim i la pas vëllezërit e tij kur babai i tij, Kim Jong-il, e kuptoi qëndrimin e tij dominues dhe e zgjodhi atë si pasardhës, thanë analistët.

PASARDHËSIT E DINASTISË

Ndërsa udhëheqja e Veriut është kryesisht mashkullore, regjimi i Kim Jong-un përfshin gjithashtu disa gra të shquara, si gazetarja e hapur Ri Chun-hee, ministri i Jashtëm, Choe Son-hui dhe motra dhe zëdhënësja e Kim-it, Kim Yo-jong, e cila lëshoi një mori kërcënimesh luftarake kundër Koresë së Jugut muajt e fundit.

Duke zbuluar herët një pasardhës të mundshëm, Kim Jong-un mund të përpiqet të shmangë gabimet e babait të tij, besojnë disa analistë.

Kim Jong-il e quajti Kim Jong-un trashëgimtarin e tij, kur djali ishte fëmijë, por ai e mbajti sekretin nga rrethi i tij i brendshëm.

Shumë analistë kishin spekuluar se Kim Jong-nam (djali i madh i Kim-it dhe gjysmëvëllai i Kim Jong-un), do të bëhej pasardhësi i tij.

Të tjerë thanë se babai do të zgjidhte Kim Jong-chol, vëllain më të madh të Kim Jong-un. Disa madje thanë se trashëgimia në Korenë e Veriut do të përfundonte me vdekjen e Kim Jong-il.

Vetëm pasi babai pësoi një goditje në tru në vitin 2008, Koreja e Veriut la të kuptohej se Kim Jong-un ishte pasuesi i zgjedhur. Koreanët e zakonshëm të Veriut nuk e kishin parë kurrë derisa u shfaq në mediat shtetërore në vitin 2010.

Kur babai i tij vdiq në vitin 2011, kishte shumë dyshime brenda dhe jashtë vendit për aftësinë e Kim për të udhëhequr.

Iu deshën vite që ai të vendoste autoritetin e tij të pakundërshtueshëm përmes një sërë spastrimesh të përgjakshme, duke përfshirë ekzekutimin e xhaxhait të tij dhe vrasjen e gjysmëvëllait të tij.

Pasi erdhi në pushtet, Kim e bëri qeverinë dhe familjen e tij më pak të mbyllur me botën e jashtme.

Babai i tij njihej se jetonte me femra të bukura, përfshirë edhe nënën e Kim-it, por asnjëherë nuk i prezantoi ato me publikun.

Një nga gjërat e para që bëri Kim si udhëheqës, ishte një dalje publike me gruan e tij, Ri Sol-ju.

Duke zbuluar një pasardhës në një fazë të hershme, Kim “i jep pasardhësit kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur”, thotë Cheong.

“Ai dëshiron që pasardhësi i tij të shmangë trashëgiminë e nxituar dhe të shpejtë në shtëpi dhe skepticizmin nga jashtë që i është dashur të kalojë”.

Shumica e analistëve pajtohen: duke marrë një nga fëmijët e tij në ngjarje që lidhen me arsenalin bërthamor, Kim u kujton njerëzve të Veriut, veçanërisht të rinjve, se sundimi dinastik i familjes së tij dhe zhvillimi i armëve bërthamore do të vazhdojë edhe me brezin e ardhshëm.

IDHULL

Jo të gjithë e shohin praninë e Ju-ae si një shenjë se ajo është rritur në familje. “Është e parakohshme të konkludohet se ajo do të jetë pasardhësja, veçanërisht nëse babai i saj ka një djalë”, – tha Ahn Chan-il, një dezertues nga Koreja e Veriut që drejton një institut kërkimi në Seul.

Tae Yong-ho, një ish-diplomat i Koresë së Veriut që iku në Korenë e Jugut në vitin 2016 dhe tani është ligjvënës në Seul, u thotë gazetarëve se bota nuk do ta dijë se Kim ka zgjedhur një pasardhës, derisa Veriu të zgjedhë një fëmijë të caktuar si figurë hyjnore për të qenë një idhull, siç bënë me Kim kur e ardhmja e tij u vendos zyrtarisht.

Kim promovon dhe shkarkon zyrtarët e lartë si gurë në një tabelë shahu dhe rregullisht riorganizon qeverinë e tij.

Javën e kaluar, Pak Jong-chon, një zyrtar i lartë ushtarak, u zëvendësua. Këto manovra i kanë lënë vëzhguesit të hamendësojnë, por spekulime të tilla janë të ndaluara në mediat e lajmeve shumë të censuruara të Veriut.

“Koreanët e Veriut e marrin si të mirëqenë sundimin e trashëguar të familjes Kim, sepse ata kurrë nuk kanë përjetuar zgjedhje të lira, – thotë Ahn. – Ata janë më pak të interesuar se kush i sundon ata dhe më shumë se kush do t’ua bëjë jetën më të mirë sesa Kim Jong-un”.

Burimi: “New York Times”: Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë