Politike

A po qartëson PD vendimin kundër zgjatjes së afateve të KPK?

Qëndrimi i Partisë Demokratike në lidhje me propozimin e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e afateve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vazhdimin e vettingut duket se po evoluon gjithnjë e më shumë drejt kundërshtimit.

Nga heshtja e shtatorit dhe deklaratat e sforcuara neutrale, por skeptike për nevojën e zgjatjes së afateve të KPK-së në tetor, nëntori e gjen PD me qëndrime edhe më konkrete kundër.

Detaji që sinjalizon se PD mund të mos ua japë socialistëve votën e saj për këtë çështje u zbulua gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm në Komisionin e Ligjeve. Këtu, nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi të dinte nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj nëse në buxhetin e ri për reformën në drejtësi është parashikuar fond shtesë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për mundësinë që këto dy organe të kryejnë vettingun.

Sipas Kushtetutës, deri në qershor të vitit të ardhshëm procesin e vettingut e kryejnë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Me përfundimin e mandateve të këtyre dy institucioneve, të parashikuara si të përkohshme në Kushtetutë, ky proces i kalon automatikisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kontrollin dhe verifikimin e gjyqtarëve dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për kontrollin dhe verifikimin e prokurorëve.

Gjatë përgjigjes së dhënë, ministrja Delina Ibrahimaj tha se institucioni që ajo drejton ka parashikuar fond për KPK dhe KPA për të gjithë vitin, por në rast se procesi i vettingut i kalon KLGj dhe KPK, atëherë këto fonde do t’u transferohen këtyre dy institucioneve.

Zgjatja e afateve të vettingut në drejtësi është një nga çështjet që po diskutohet mes PS dhe PD. Opozita ka propozuar që ndryshimet kushtetuese të futen paketë bashkë me propozimin e saj për vetting në politikë. Ideja është kundërshtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.

PS thotë se zgjatja e afateve të vettingut në drejtësi nuk ka pse të diskutohet nga politika. Sipas shumicës, kjo është një çështje teknike për të cilën palët kanë rënë dakord në vitin 2016, kur votuan unanimisht për reformën në drejtësi. Në këtë qëndrim, socialistët thonë se kanë edhe ndërkombëtarët, që e mbështesin idenë me argumentin që të ruhet i njëjti standard në këtë proces.

Por, PD thotë se Kushtetuta e ka zgjidhur këtë problem duke ja transferuar procesin e vettingut KLGj-së dhe KLP-së, dy organe të përhershme të sistemit të drejtësisë. Sipas opozitës, ajo që po kërkohet është vetëm zgjatja e mandatit të 14 individëve, duke nënkuptuar 14 komisionerët e KPK dhe KLGj.

Në filtrin e vettingut, që prej shkurtit të 2018-s, kur nisën punën dy komisionet e tij kanë kaluar rreth gjysma e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë