Politike

A po shkon LSI “në rënie të lirë” në Berat? 112 gra i bashkohen Nasip Naços

112 gra nga strukturat e LSI-së së Beratit janë larguar nga kjo forcë politike për t’ju bashkuar Partisë Socialiste

“Jam e keqardhur që LSI është kthyer në një parti klanore dhe farefisnore. Pakënaqësitë tona kanë filluar që në vitin 2015 me eksperimentin që lidershipi i LSI-së ka bërë kryesisht me bashkinë e Beratit.

Modeli që LSI solli në bashkinë e Beratit ishte një model qeverisje i dështuar që në nisje, si pasojë e vendosjes së një kryetari (kushëri) hajdut, imoral, tinzar dhe shpirtëzi.

Ky ishte modeli i korrupsionit, nepotizmit, ryshfetit dhe pabesisë që vuajtën jo vetëm anëtarët e LSI-së por gjithë qytetarët e Beratit…”, tha Entela Vreko, ish- kryetarja e Gruas së Rajonit nr 2 të LSI Berat.

Në takimin e grave të larguara ishte edhe Nasip Naço ish-deputet i LSI-së (që këto zgjedhje do renditet i pesti në listën e PS-së për zgjedhjet) dhe deputeti tjetër i larguar Gledion Rehovica.

“Nuk dua të merrem me të kaluarën, por me të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot, duke respektuar rregullat antiCOVID, në mënyrë vullnetare 112 gra mbështetën PS-në”, tha Naço pas takimit.

Ky nuk është largimi i partë nga radhët e LSI-së.

Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në fshatin Gjeroven në rrethin e Beratit është shkrirë. Të 140 anëtarët kanë kaluar me PS ndërsa vetëm pak ditë më parë publikisht dorëzuan teserën e LSI edhe 100 të rinj të kësaj force politike.

Ish-deputeti i LSI-së, Nasip Naço ka paralajmëruar se këto nuk do të jenë largimet e fundit.

Qarku i Beratit ka qenë një zonë e fortë për LSI-në kjo edhe për shkak të ndikimit të vetë Naços në këtë zonë.

LSI-ja nuk është prononcuar për largimet në masë nga ky qark, përveccse ka komentuar në përgjithësi se LSI po vetëpastrohet nga “llumi”. Paralelisht, drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Beratit, Ardit Çela ka deklaruar se në këtë qark “po bëhen shkarkime politike nga puna nga ana e rilindësve”.

Lëvizja Socialiste për Integrim doli e dyta në qarkun e Beratit për nga numri i votave në zgjedhjet e vitit 2017, duke e kaluar Partinë Demokratike në vend të tretë si forcë politike.

 LSI mori dy mandate, PS-ja katër, ndërsa PD-ja vetëm një mandat.

Të njëjtin rezultat LSI mori edhe në zgjedhjet e 2013-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë