Politike

A u përjashtua Meta nga kongresi i PES në Berlin? (emaili dhe reagimi i PL)

Referuar një e-maili që mban autorësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk mund të marrë pjesë në forumin më të rëndësishëm eurosocialist në datat 14 dhe 15 tetor ne Berlin. Arsyeja, Sali Berisha i shpallur “non grata”

“I dashur Ilir, Faleminderit për interesin tuaj në Kongresin e PES, që do të mbahet në Berlin në 14-15 tetor. Gjithsesi, si rezultat i vendimit dhe aleancës suaj të fundit politike, ne ju kërkojmë që të mos merrni pjesë në Kongres. Kongresi i PES pret prezantime nga parti progresiste për të shpërndarë vizionin e tyre për politikat Europiane që janë të bazuara në vlerat tona thelbësore, demokracia, liria, barazia, paqja dhe drejtësia. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Ju luten kini parasysh që nuk ishte një vendim i lehtë”, thuhet në mesazh.

Emaili i dërguar në adresën e LSI

Refuzimi për pjesëmarrje vjen dy ditë pasi Ilir Meta zyrtarizoi koalicionin me Sali Berishën për zgjedhjet vendore të 2023.

Pas publikimit të emailit që dukshëm duket se i është dërguar jo Partisë së Lirisë por emaileve zyrtare të ish-LSI, ka reaguar edhe Partia e Lirisë përmes Tedi Blushit. Dy ishin pikat kryesore; Se Ilir Meta nuk ka kërkuar të shkojë në Berlin dhe se në adresën e Partisë së Lirisë nuk ka mbërritur asnjë email.    

“Një rast flagrant, për të ardhur keq, se si në mungesë të theksuar profesionalizmi, një media e kapur dhe në shërbim 24/24 të propagandës së fëlliqur të Qeverisë, dezinformon hapur duke gënjyer ditën për diell lexuesit, me një mashtrim kaq të trashë.

Ilir Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë se ka punë shumë të rëndësishme në Shqipëri!

Email që pretendohet nuk është çuar në adresën e Partisë së Lirisë, por në adresën info@lsi.al, në email të Ralf Gjonit dhe adresën fake të Monika Kryemadhit, që nuk ekziston: monika.kryemadhi@gmail.com.

Asnjë surprizë nga një portal i ulur në gjunjë para Edi Ramës, i financuar nga paratë që qelben erë incenerator, mafie vendase dhe italiane!”, thuhet ne reagimin e Partisë së Lirisë.

Gazeta “Si” kërkoi informacion zyrtar pranë zyrës së kontaktit të PES, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë