I mandatuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviç prezantoi përbërjen e Qeverisë, për të cilën deputetët do të vendosin në seancën e Kuvendit në Cetinje.
Ekzekutivi i ri do të ketë 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Në kabinet do të jenë dy ministra shqiptarë, Fatmir Gjeka, i cili për dy vjet ka qenë kryetar i Ulqinit dhe do të mbajë postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriu dhe të Pakicave dhe Marash Dukaj si Ministër i Administratës Publike.
Abazoviç është shprehur më herët se Qeveria e tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Mbështetje parlamentare për këtë Qeveri ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidenti, Millo Gjukanoviç, por pa pjesëmarrje në të.
Shtylla e këtij ekzekutivi, i cili kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar, do të jetë sipas Abazoviçit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
Në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet europiane, një çështje delikate kjo, për shkak se regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje