Rend dhe Ligj

Ademi letër Ramës dhe ambasadave: IKMT shkeli ligjin në Velipojë

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, pretendon se është anashkaluar si pushtet vendor nga IKMT-ja e cila të enjten ndërmori një aksion kundër prishjes së disa ndërtimeve pa leje në Velipojë.

Ajo ka bërë një letër të hapur publike drejtuar jo vetëm kryeministrit Rama, dy ministrave Lleshaj dhe Klosi, por ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë Shkodër dhe ambasadat e huaja mbi incidentin e ndodhur.

“Pa vënë në dijeni Bashkinë Shkodër, madje duke na anashkaluar si pushtet vendor, IKMT duke mos paraqitur asnjë dokumentacion, pa një njoftim paraprak dhe në shkelje të çdo proçedure ligjore, ka vepruar duke shembur strukturat  “Beach bare”, të administruara nga subjektet dhe operatorët turistikë, restorate, resorte, dhe hotele. Bashkia  Shkodër ka kërkuar që të diskutohet dhe të merret një vendim i pjekur lidhur me administrimin dhe shërbimin në bregun e  Velipojës, duke gjykuar që çdo veprim duhet të marrë në konsideratë periudhën e sezonit turistik dhe kushtet ekonomike të biznesit, nevojën e madhe për të punuar në periudhën e verës në plazhin e Velipojës…”, shkruan ajo.  

Me gjithë kundërshtitë e Bashkisë Shkodër, të pronarëve, dhe pretendimeve që ato kanë patur, Ademi nënvizon se, “IKMT ka vepruar duke shembur struktura në mënyre selektive, duke shembur disa objekte e disa të tjera jo”. “Nëse do të kishte patur një urdher dhe plan pune, do të duhej të ishte ndjekur praktika ligjore, transparente, komunikimi dhe bashkërendimi me pushtetin vendor, urdhëri i prishjes nga IKMT, realizimi i njoftimeve paraprake, e më pas ekzekutimi i vendimit për të gjithë njëlloj”, thotë ajo.

Ademi njofton gjithashtu se është informuar nga media mbi veprimet e IKMT dhe se I ka kërkuar publikisht dy ministrave, të pranishëm në një takim të përbashkët për turizmin. që të ndalonin çdo veprim jo ligjor në Velipojë.

“Pasi kam dëgjuar pretendimet e biznesit dhe kam parë në terren gjendjen, i kam kërkuar përfaqësuesve të IKMT dokumentacionin mbi të cilin po vepronin. Inspektorët nuk dispononin urdhërat dhe procedurën shkresore, Duke parë mungesën e këtij dokumentacioni, i kam kërkuar inspektorëve dhe punonjësve të IKMT dhe Policisë së Shtetit të pezullojnë shembjet, sepse po kryenin veprime të kundraligjshme.

Dokumentacioni akoma edhe sot mungon, dhe IKMT ka vepruar jashtë procedurës ligjore duke përdorur Policinë e Shtetit, e cila ka vepruar barbarisht në terren, kundër njerëzve dhe bizneseve, duke ushtruar dhunë dhe presion”, shkruan ajo.

“Sot më datë 12.06.2020, Velipoja është gdhirë si një gërmadhë. Grumbuj të tërë inertesh gjenden në bregun e rërës. Pirgje me materiale ndërtimore dhe pajisje kanë zënë vendin e stacioneve të plazhit tashmë. Ndërkohë që, strukturat shtetërore, përfshirë këtu IKMT, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë së Shtetit, Prefekturën e  Shkodrës, IKMT rajonale në Shkodër, janë të gjitha të përfshira në një aferë të madhe korruptive, me qëllim zaptimin e bregut ranor dhe ndërtimi në mënyrë të paligjshëm, duke i mohuar përfitueve, qytetarëve, operatorëve turistikë të drejtën e shfrytëzimit dhe përdorimit sipas ligjit, gjithmonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë