Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, i ka kërkuar organeve të drejtësisë që të hetojnë për dokumentet e publikuara së fundmi ndaj Monika Kryemadhit mbi disa lidhje biznesi të dyshuara me oligarkë rusë afër Putin.
“Prej disa ditësh, opinioni publik është shqetësuar nga publikimi i dokumenteve që ngrenë dyshime se një deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka marrë para nga kompani të lidhura me diktatorin e Kremlinit, Vladimir Putin.
Të dhënat e publikuara nga media pasqyrojnë se si Monika Kryemadhi ka marrë para nga kompani të oligarkëve rusë që financojnë partinë e Putinit.
Ky është një rast shqetësues i cili ekspozon edhe një herë tjetër, skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë europiane: financimin e partive politike.
Por në vend që të japë shpjegime mbi këtë situatë, deputetja Kryemadhi ka zgjedhur të sulmojë mediat.
Në vend që të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë, deputetja Kryemadhi kërcënon dhe akuzon mediat, vetëm se ato kanë bërë detyrën e tyre. Njësoj siç bën partia dhe zëdhenësit e Putinit kundër zërave kritikë me të!”, tha Bushka nga selia e PS-së.
Më tej, ajo ngriti disa pyetje.
“Çfarë janë këto llogari offshore?
Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para?
A ka patur ajo biznese me rusët? A ka marrë divident?
Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave?
E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit?
Në të dyja rastet, implikimi i një politikaneje shqiptare në skemat e errëta të financimeve ruse, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë, ndaj vlerave europiane për të cilat punon e lufton aq shumë vendi ynë.
Drejtësia shqiptare nuk duhet të humbë kohë për të hetuar këtë rast që cënon sigurinë kombëtare të një vendi si i yni, i rreshtuar ndër të parët në krah të Ukrainës dhe kundër brutalitetit të Rusisë”, tha ajo
Vetëm një hetim i plotë, sipas Dushkës, do të mund tu japë përgjigje pyetjeve se “deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët, se cilat janë interesat e saj me oligarkët e Putinit dhe sa i kanë prekur këto marrëdhënie, interesat kombëtare të Shqipërisë….”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje