Bota

Afganistan, talebanët organizojnë një batalion kamikazësh në një ushtri të rregullt

Talebanët po organizojnë një batalion ushtarësh me kamikazë. Ajo tashmë ka një emër, ose kështu e quajnë militantët e tyre në Kabul: “Ishtihadi”, nga arabishtja “shahid”, që do të thotë martir. Me fytyra të mbuluara me uniforma të zeza, përkushtimi i tyre ndaj kauzës do të jetë total.

Në thelb, do të ketë pak të reja. Që nga humbja e tyre kundër pushtimit amerikan të Afganistanit në nëntor 2001, talebanët kanë përdorur gjerësisht bomba vetëvrasëse.

Dëshmorët e tyre kryen masakra të frikshme kundër ushtarëve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të (përfshirë dhe ushtarë shqiptarë me mision paqeruajtës), të cilat prekën gjithashtu dhjetëra mijëra ushtarë afganë dhe mbi të gjitha civilë.

Por tani, risia qëndron në vendosjen e tyre në ushtrinë e re të rregullt afgane. Në fakt, që nga 15 gushti i kaluar, talebanët nuk janë më një lëvizje guerile opozitare, por janë institucionalizuar në krye të shtetit dhe tani po kërkojnë njohje ndërkombëtare.

Dhe nuk ka asnjë shembull tjetër të një ushtrie të rregullt që përfshin në radhët e saj njësi elitare ushtarësh haptazi të gatshëm për “martirizim” dhe aq më tepër, që i bëjnë veprimet vetëvrasëse tipar të spikatur të klasifikimit të tyre ushtarak.

Guerilët e ISIS-it, kishin trajnuar grupe kamikaze, si dhe grupe xhihadiste të frymëzuara nga Al Kaeda. Hezbollahu libanez gjithashtu mbledh kamikazë brenda tij, ashtu si edhe nigerianët e Boko Haram-it në Afrikë. Por këto janë pikërisht lëvizje guerile apo grupe terroriste.

Ndoshta është e nevojshme të kthehemi tek kamikazët japonezë në fund të Luftës së Dytë Botërore për të gjetur diçka të ngjashme me atë që po krijojnë talebanët.

Zëvendësministri i Informacionit dhe Çështjeve Kulturore, Zabiullah Mijahid, nga Kabuli saktëson se batalioni i ri do të jetë pjesë e forcave speciale nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pa specifikuar numrin apo vendndodhjen e bazave të tyre, ai shtoi se ata do të përdoren për operacione veçanërisht delikate. Ditët e fundit, Ministria e Mbrojtjes e Talebanëve, kishte lënë të kuptohet për krijimin e një ushtrie të rregullt me ​​jo më pak se 100.000 ushtarë, shumë prej tyre nga forcat e vjetra të sigurisë (ushtria dhe policia) të paguar dhe të trajnuar nga koalicioni perëndimor.

Megjithatë, duket se disa batalione talebanësh me njerëz kamikazë mes tyre, po veprojnë tashmë në provincën e Badakhshanit dhe në përgjithësi në rajonet verilindore kundër guerrilasve të ISIS-it.

Në këtë rast, “martirët” e Kalifatit sakrifikohen kundër talebanëve në emër të parimeve dhe rregullave të sjelljes që nuk ndryshojnë shumë mes dy lëvizjeve, edhe pse me qëllime të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë