Ndërsa avioni i fundit ushtarak amerikan u ngrit nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje, duke shënuar fundin e dy dekadash lufte, në kryeqytet shpërthyen fishekzjarrët e të shtënat, ndërsa luftëtarët talebanë dolën në rrugë duke festuar.
Vetëm dy javë më parë, luftëtarët talebanë kishin marrë Kabulin dhe rrëzuan qeverinë pa forcë ndërsa Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi. Ardhja në pushtet ishte aq e shpejtë saqë kishte kapur në befasi udhëheqësit ë SHBA -së dhe madje edhe talebanët.
Pasi SHBA njoftoi largimin e saj pak para mesnatës me kohën lokale, një dalje e bërë pa dorëzim zyrtar, talebanët morën kontrollin e Afganistanit.
Pamjet nga brenda qytetit treguan të shtëna armësh që ndriçonin qiellin e natës ndërsa luftëtarët talebanë qëllonin në ajër.
“Pesë avionët e fundit janë larguar, ka mbaruar!” tha Hemad Sherzad, një luftëtar taleban i stacionuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit. “Unë nuk mund ta shpreh lumturinë time me fjalë … 20 vjet sakrificë ia ka vlejtur”.

Megjithatë shqetësimi kryesor i mediave perëndimore ishin ata që u lanë pas dhe mbetën të bllokuar në Afganistan.
Edhe pse avioni i fundit amerikan u largua nga Afganistani, shumë qytetarë amerikanë dhe afganë që bashkëpunuan me SHBA-në po përpiqeshin të hynin në aeroport.
Në një konferencë shtypi më herët, kreu i forcave amerikane në Afganistan konfirmoi se kishte rreth 250 amerikanë që, ose nuk mund të arrinin në aeroport në kohë ose nuk mund të hipnin në avionë.
Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar thotë po ashtu se ka ende qindra shtetas britanikë të bllokuar në Afganistan. Dominic Raab tha se grupe të mëdha familjare dhe mijërqa qytetarë perëndimorë pa dokumentacion nuk kishin mundur të evakuoheshin.
Për më tepër, ka ende të tjerë që shpresojnë të largohen për shkak të punës së tyre me qeverinë britanike.
Raab theksoi se qeveria britanike ende shpreson të evakuojë këdo që ka të drejtë dhe ka qenë duke punuar me vendet e NATO-s. Për më tepër, ai tha se qeveria “do t’i kërkonte talebanëve garanci që njerëzve do t’u lejohej kalimi i sigurt. Raab gjithashtu mbrojti dy dekadat e kaluara në Afganistan, duke treguar sukseset në aksesin në arsim, dhe faktin se vendi nuk ishte përdorur si bazë për terroristët në vite.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se mbi 120 mijë vetë janë evakuuar gjithsej pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët, përfshirë 1200 persona të nxjerrë nga vendi me 26 fluturime ushtarake amerikane nga e diela deri të hënën.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se mbi 6 mijë amerikanë janë nxjerrë nga vendi.
Blinken tha se nëse ka amerikanë që duan të qëndrojnë për momentin dhe më pas ndryshojnë mendje, SHBA do t’i ndihmojë që të dalin.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i përshkruan kushtet në terren gjatë orëve të fundit të evakuimit të udhëhequr nga ushtria amerikane si fluide dhe të rrezikshme, të rënduar nga një sulm me raketa gjatë natës në aeroportin e Kabulit, autorësinë e të cilës e mori gjithashtu ISIS-Khorasan.
Tërheqja ka mbyllur një kapitull të historisë ushtarake që ka gjasa të mbahet mend për dështimet kolosale, premtimet e paplotësuara dhe një largim përfundimtar kaotik që i kushtoi jetën më shumë se 180 afganëve dhe 13 pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, mosha e disa prej të cilëve ishte vetëm pak më e madhe se sa vetë lufta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje