Ne rrjet

Afganistani u konsumua nga korrupsioni me paratë amerikane

Jo se më para korrupsioni nuk mungonte, por prej një dekade, të gjithë drejtuesit e politikanët afganë nuk po fshiheshin më së treguari se sa i korruptuar ishte shndërruar vendi i tyre. Para të zeza të korrupsionit, trafikut të drogës, opiumit qarkullonin gjithandej.

Banka më e madhe afgane ishte shndërruar në një lavatriçe pastrimi parash dhe mekanizëm mashtrimi për qytetarët e thjeshtë. Udhëtarë me çanta të mbushura me 1 milionë dollarë, ose më shumë merrnin avionët e largoheshin nga Kabuli.

Rezidenca luksoze me pishina mbinë ndër vite në periferitë e Kabulit nga rrënojat e luftës së fillimviteve 2000. Një pjesë e mirë e tyre të zotëruara nga lordët e kultivimit dhe trafikut të opiumit.

Hamid Karzai u rizgjodh President i vendit pas manipulimeve të shumta, ku në qindra raste u provua se kutitë e votimit ishin mbushur nga mbështetësit e tij. Më vonë, Karzai pranoi se CIA i kishte dërguar çanta me para në zyrë për vite me radhë, duke e cilësuar këtë si “krejt normale”.

Publikisht, Presidenti Barack Obama, teksa përshkallëzoi luftën në Afganistan dhe Kongresi miratoi miliarda dollarë mbështetje financiare shtesë për vendin aziatik, premtonte që të godiste korrupsionin dhe vendoste para llogaridhënies zyrtarët e korruptuar afganë.

Në të vërtetë, sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga “The Washington Post”, zyrtarët e SHBA u tërhoqën, mbyllën njërin sy dhe lejuan “vjedhjen” që të ngrihej në sistem si kurrë më parë në Afganistan.

Në këtë dokument, figurat udhëheqëse të luftës thonë se Uashingtoni toleroi shkelësit më të mëdhenj, që nga trafikantët e drogës, drejtuesit e grupeve të fuqishme militante lokale dhe deri te kontraktorët vendas të ushtrisë, që abuzonin haptas me armatimet dhe ndihmat financiare që përfitonin.

Dokumenti është i vitit 2018-të dhe në të, njëri prej zyrtarëve të lartë amerikanë në mënyrë figurative thotë se ndihma e pakufizuar financiare e Uashingtonit për në Kabul ndihmoi në “vrasjen” e përpjekjeve për të ngritur një shtet dhe institucione demokratike.

“Ishim aq të dëshpëruar për të ofruar alkool në tavolinë, vazhdonim të ofronim këto pije pa e ditur dhe kuptuar se po i vrisnim”, citohet zyrtari.

Korrupsioni galopant ishte rezultati i paparashikuar dhe pamenduar i dyndjes së parave në një zonë lufte përmes ndihmave dhe kontratave të mbrojtjes shumë të mëdha nga sa mund të përtypte Afganistani i varfër. Kishte aq shumë para të financuara nga taksapaguesit amerikanë, sa mundësitë për ryshfet dhe mashtrim u bënë thuajse të pakufizuara, sipas dëshmive të zyrtarëve të hedhura në dokumentin konfidencial të 2015-s.

“Perceptimi themelor ishte se korrupsioni ishte një problem afgan dhe ne ishim zgjidhja. Por, ka një elemend të pazëvendësueshëm që i duhet korrupsionit: paratë dhe ne ishim ata që kishim paratë”, thotë Barnett Rubin, një ish-këshilltar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Sipas dëshmive, për të siguruar besnikërinë dhe informacioneve, CIA pagoi me miliona dollarë shefat e militantëve lokalë, guvernatorë, deputetët e deri te udhëheqës fetarë. Ushtria amerikane dhe agjencitë e tjera të SHBA gjithashtu nxitën korrupsionin duke pranuar të kryenin pagesa për kontrata të dyshimta te ndërmjetësuesit afganë në përpjekje për të pasur stabilitet.

“Patëm si bashkëpunëtor të gjithë aktorët e gabuar dhe SHBA është duke qëndruar ende krah për krah me këta njerëz”, citohet një diplomat amerikan në të njëjtin dokument.

Gert Berthold, një llogaritar që shërbeu për ushtrinë amerikane në Afganistan nga 2010 deri në 2012 thotë se ka ndihmuar në analizimin e 3 mijë kontratave të Departamentit të Mbrojtjes me një vlerë totale prej 106 miliardë dollarë, për të parë se kush përfitonte.

Përfundimi: Në 40 për qind të rasteve paratë përfundonin në xhepat e rebelëve, e talebanëve, grupeve kriminale të trafikut të drogës e kultivimit të opiumit dhe në xhepat e zyrtarëve të korruptuar afganë.

“Dhe shpesh kjo përqindje shkonte edhe më lart. Folëm me shumë ish-ministra afganë dhe ata na thanë se e kemi nënvlerësuar shumën e vërtetë që ka përfunduar në xhepat e korrupsionit”, deklaron Berthold.

Ai thotë se provat e korrupsionit ishin aq sheshit, sa pak zyrtarë amerikanë nuk ishin në dijeni të tyre dhe shprehnin kureshtje për t’i dëgjuar.

Dokumenti është hartuar nga 2014 deri në 2018 nga Zyra Speciale e Inspektorit të Përgjithshëm për Rindërtimin e Afganistanit, SIGAR, me intervista të ish-zyrtarëve, ish-diplomatëve dhe ish-drejtuesve ushtarakë amerikanë në Afganistan.

Në shtator të 2016-s, SIGAR publikoi një raport prej 164 faqesh ku theksonte se sa kronik ishte korrupsioni në Afganistan dhe sa kishte minuar ai të gjitha përpjekjet dhe misionin amerikan atje.

Burimi “The Washington Post”. Përshtati në shqip, Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë