Gazeta ‘Si”-Ministrave u ndalohet që të japin fjalime, deklarata për media, e deri te postimet në rrjetet sociale pa u koordinuar më parë me Agjencinë për Media dhe Informimin.
Qeveria ka ndryshuar kodin etik në mbledhjen e fundit të saj, ku Agjencia e krijuar rishtazi dhe e akuzuar se dëmton transparencën dhe të drejtën për informim përqëndron veç informacionit të zëdhënësave, edhe daljet publike të ministrave.
Deri më tani, Kodi Etik Ministror nuk detyronte ministrat që të koordinoheshin me Zyrën e Komunikimit të Kryeministrit, por sanksiononte ‘marrjen e pëlqimit’ për deklaratat dhe qëndrimet publike për sa kohë është e mundur.
“Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave”, thuhej në nenin 15 të Kodit.
Me ndryshimin e bërë, fjalët “… për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave …” zëvendësohen me “… të koordinohet me agjencinë përgjegjesë për median dhe informimin …”.
Në lidhje me ngritjen e Agjencisë për Informim dhe Media, ka reaguar në raportin e progresit edhe Komisioni Europian. KE thotë se agjencia duhet të rrisë transparencën dhe decentralizimin dhe në asnjë mënyrë të bëhet pengesë për gazetarët për akses të barabartë te burimet qeveritare të informacionit.
Ndryshimet e fundit të kodit etik ministror shkojnë në kah të kundërt të rekomandimit të KE-së, duke centralizuar jo vetëm informacionin nga zëdhënësat, por deri edhe në nivel ministrash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje