Bota

Agjencitë funerale në Spanjë në grevë, kërkojnë shtim punonjësish

Në një kohë që vendi po regjistron gjithnjë e më shumë viktima si pasojë e koronavirusit, Spanja po përballet me një grevë të pazakontë. Agjencitë funerale ndalën punën duke kërkuar shtim stafi për të përballuar fluksin.

Sindikatat e punonjësve thanë se nevojiten më shumë punonjës për të shmangur skenat e regjistruara gjatë valës së parë të pandemisë, në Pranverë, kur varrosja e viktimave të Covid-19 kryhej me vonesë.

Greva u njoftua gjatë “Ditës së të gjithë Shenjtorëve”, kur zakonisht qytetarët vizitojnë varrezat e të dashurve të tyre. Një agjenci funerali në Madrid i tha AFP-së se kishte nevojë për 15 deri në 20 punonjës më shumë për t’u përballur me rritjen e numrit të vdekjeve. Ditën e premte, Spanja njoftoi 239 vdekje si pasojë e Covid-19.

Spanja u përfshi në një situatë të pazakontë dhe që shtonte përmasat e tragjedisë në muajin mars, kur viktimat e Covid-19 varroseshin deri në një javë më vonë. Autoritetet u detyruan që të aktivizonin krematoriumit, pra djegien e trupave në qytetet e mëdha për shkak se agjencitë funebre e kishin të pamundur të përballeshin me fluksin e punës.

Që prej fillimit të pandemisë e deri më tani, Spanja ka regjistruar më shumë se 1.1 milionë të infektuar dhe rreth 36 mijë viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë