Ish-deputeti i PL-së, Agron Çela, i cili së fundmi ka kaluar me PS-në ka sqaruar arsyet se pse Shkodra kësaj here duhet të votojë për mazhorancën dhe jo opozitën. Ndër radhë, ai nënvizon peshën politike që ai ka në atë qark.
“Kam arritur ne përfundimin se fuqia jone e përbashkët politike dhe mbështetja jone elektorale është e një rëndësie të veçantë, për ta motivuar shumë më tepër mazhorancën qeverisëse që të punojë për Shkodrën me zhvillime dhe projekte të reja!
Më lejoni që të rendis këtu disa arritje që i kemi bërë të mundura se bashku ndër vite, për të treguar se jemi faktor me peshë dhe me shumë ndikim politik në Qarkun e Shkodrës.
Unë i jam bashkuar LSI-së në vitin 2012, me besimin për një angazhim në interes publik, pavarësisht se vija nga biznesi!
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ishim në koalicion me PS, arritëm të merrnim një rezultat prej 12.772 vota!
Ishte pikërisht ky vullnet i zgjedhësve të Qarkut të Shkodrës, që më nderoi në mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë! Këtu duhet theksuar se përherë të parë koalicioni i majtë dominoi të djathtën në Qarkun e Shkodrës, pasi e majta fitoi 64.300 vota (7 deputetë) ndërsa e djathta 54.670 vota (4 deputetë). Dhe kjo u arrit vetëm në sajë të fuqisë sonë elektorale me 12.772 vota!”, shkruan Çela
“Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 arritëm të merrnim 19800 vota, ku ishim serish në koalicion me PS. Për herë të parë, u arrit që të ekuilibrohej pushteti vendor në të 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës.
Ne Këshillin e Bashkisë Shkodër fituam 11 mandate duke u renditur të dytë si forcë politike në Këshillin Bashkiak mbas partisë Demokratike.
Po kështu në Malësinë e Madhe arritëm të dilnim forcë e parë me numër votash për këshilltarë, ku votat tona ishin përcaktuese në fitimin e kryetarit të bashkisë nga PS po ashtu edhe në Pukë e Fushë Arrës arritëm të dilnim forcë e parë me numër votash për këshilltarë ku rezultati për fitimin e kryetarëve të këtyre dy bashkive ishte shumë i ngushtë, ku e them me bindje të plotë se votat tona ishin përcaktuese në fitimin e këtyre dy bashkive nga ana e PS, numri i këshilltarëve të LSI-së ishte i tillë që të mund të kontrollonte aktivitetin qeverisjes vendore, ashtu siç kishin shpresuar qytetarët…”
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Çela nënvizon se anëtarët e LSI-së e LRI-se në Qarkun e Shkodrës morën 12.737 vota, duke rikonfirmuar mandatin e dytë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Çela shkruan gjithashtu se në zgjedhjet vendore të vitit 2019 LSI nuk mori pjesë pasi kështu vendosi koalicioni me PD-në, vendim për të cilin ai sqaron se ka qenë i bindur.
“Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 ishim në koalicion me Partinë Demokratike, por ne si gjithnjë punuam fort në radhë të parë duke i besuar elektoratit tonë, që na kishte votëbesuar që në vitin 2013, 2015 si dhe 2017. Suksesi nuk na mungoi edhe kësaj radhe, ndonëse pjesëmarrja në votime ishte më e ulët, ne fituam 10.100 vota dhe më rikonfirmuan për të tretën herë deputet i qarkut të Shkodrës në Kuvendin e Shqipërisë!
Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit 2022, në koalicion me PD u formua “Shtëpia e Lirisë” dhe mbështetëm për kryetar të Bashkisë Shkodër kandidatin e këtij koalicioni, i cili fitoi me një diferencë prej 1800 votash!”, shkruan ai.
Çela vëren në postimin e tij se për fitoren e Bardhit votat e LSI-së bënë diferencën.
“E them me siguri dhe bindje te plote se luajtem rol kryesor ne arritjen e kesaj fitoreje, ku votat tona bene diferencen!
E bëra ketë paraqitje të përmbledhur pune që kemi bere se bashku nga viti 2013 e deri ne ditët e sotme, për te kujtuar se roli ynë politik dhe elektoral ne Qarkun e Shkodrës është i dukshëm dhe i lexueshëm!
Unë ju ftoj që fuqinë tonë politike dhe elektorale të padiskutueshme, ta kanalizojmë në mbështetje të mazhorancës për projektet që ajo ka në drejtim të zhvillimit të Shkodrës!
Ne duhet t’i japim shansin PS që ta drejtojë Bashkinë Shkodër, pas 30 viteve të drejtimit të PD-së, dhe të mos vazhdojmë me ngarkesa emocionale, që asnjë të mirë nuk i kanë sjellë Shkodrës!”, shkruan ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje