Politike

Agron Duka: Nuk garoj për Durrësin, do mbështes Igli Carën  

Partia Demokratike shtyu deri më datë 12 nëntor afatin e depozitimit të emrave për primaret, përveç Tiranës që është mbyllur.

Shkak për këtë vendim janë emrat që po qarkullojnë në degët kryesore të PD-së përfshi edhe Durrësin.

Një prej tyre i diskutuar nga baza e PD-së është edhe kreu i PAA-së, Agron Duka i cili publikisht ka deklaruar se nuk futet në garë, madje ka paracaktuar edhe emrin që do të mbështesë nga PD, Igli Cara, i cili aktualisht drejton këtë degë për Durrësin.   

“Nuk do të garoj në Durrës, do të mbështes kandidaturën e Igli Carës!

Më njoftuan nga dega lokale e PD-së në këtë qytet se në disa njësi, anëtarësia e kësaj partie më ka propozuar si kandidat për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake, për kandidatin për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i opozitës.

Ndjej të falënderoj çdo qytetar durrsak, që është pjesë e Partisë Demokratike, dhe që ka propozuar që unë të jem në këtë garë. E vlerësoj maksimalisht dhe, me zemër do të doja ti përfaqësoja ata dhe shumë të tjerë në këtë garë, me dëshirën e madhe për të bërë më të mirën për qytetin dhe fshatrat e Durrësit.

Por, duke qenë kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar t’i përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare.

Unë i premtoj çdo demokrati dhe çdo qytetari durrsak, se kontributi im do të jetë, si përherë, për qytetin dhe qytetarët e kësaj bashkie.

Unë personalisht dhe PAA me strukturat e saj, do të mbështesim zyrtarisht kandidatin demokrat Igli Cara, me bindjen e plotë se ai është njeriu që i duhet bashkisë së Durrësit dhe qytetarëve të Durrësit”, shkruan Duka në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë