Pas fitores më të madhe në karrierën e tij politike, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka paralajmëruar Zoran Zaev dhe partinë e tij të mos nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re pa llogaritur BDI-në
Duke folur për mediat, Ahmeti la të kuptohet se nuk ka për të hequr dorë nga kërkesa që kryeministri i ri të jetë shqiptar edhe me çmimin e kalimit të partisë së tij në opozitë.
“Kujt ia merr mendja dhe është i përgatitur të ndërmarrë procese politike në këtë vend pa BDI-në, më duket se ka guxim të tepruar”, deklaroi Ahmeti pasi partia e tij mori për herë të parë 15 deputetë në zgjedhjet e së mërkurës. Partitë shqiptare morën së bashku plot 32 deputetë, edhe pse të ndara në lëvizje të ndryshme politike.
Ahmeti dhe partia e tij ka korrur një ndër fitoret më të mëdha, edhe pse gjatë muajve të fundit, ai dhe BDI, ishin në epiqendër të kritikave dhe akuzave, si nga opozita shqiptare, ashtu dhe nga Zaev dhe opozita maqedonase.
Sipas Ahmetit, arsyeja kryesore se përse pati përkrahje në zgjedhjet e 15 korrikut, ishte propozimi i BDI-së për kryeministër shqiptar, që sipas tij e mbështesin 70-80 për qind e shqiptarëve.
Ai rikujtoi se asnjë etni nuk ka ekskluzivitet të drejtimit të Maqedonisë së Veriut dhe se është plotësisht e drejtë që vendi të udhëhiqet edhe nga një shqiptar. I pyetur nëse do të bisedonte edhe me kryetarët e partive të tjera shqiptare për të realizuar më mirë idenë për një kryeministër shqiptar, ai tha se priste që të zhvillonte takime ditët e ardhshme.
“Është shumë me rëndësi që partitë shqiptare të takohen, të bashkë-koordinohen, unë jam optimist duke parë dhe deklaratat e tyre që ne si shqiptarë duhet të kemi parasysh që çështjet substanciale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shqiptarët të arrijmë dakordësi, por jo që të organizohemi për t’iu kundërvënë palës tjetër sepse kjo nuk do të ishte mirë as për vendin, as për çështjet madhore për të cilat përballemi, nuk do të bëjmë politika revanshiste apo për përplasje të reja, na intereson që proceset të ecin përpara, të kemi fillim të mbarë për anëtarësim në BE dhe pikërisht këto janë temat mbi të cilat duhet të koordinohemi,” – tha Ahmeti duke theksuar se duhet krijuar klima e afrimit mes komuniteteve etnike pasi sipas tij, fati i Maqedonisë së Veriut varet nga komunikimi dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve”.
I pyetur rreth etiketimeve përçmuese nga Zoran Zaev ndaj shqiptarëve të bëra publike në disa përgjime të rrjedhura, Ahmeti tha se nuk ishte ndjerë mirë dhe priste që ai të kërkonte ndjesë.
“Natyrisht nuk u ndjeva mirë me ato fyerje… mirëpo mendoj se Zaev do të gjejë forcë për t’i kërkuar falje shqiptarëve. Ai e bëri një hap, por jo hapi i duhur, ai atë ofendim e arsyetoi se gjoja e ka patur për BDI-në, por aty nuk kishte të bënte me BDI-në, por direkt me shqiptarët dhe mendoj se Zaev duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve,” – u shpreh Ahmeti.
“Unë do e falja dhe do t’i lusja anëtarët e BDI-së që ta falin (Zaevin) nëse ofendimi ka të bëjë me BDI-në, por nuk ka të bëjë me BDI-në, por me shqiptarët si komb, kështu që mendoj se ai duhet të kërkojë një falje për të lehtësuar dhe komunikimin e mëtejshëm,” u shpreh Ahmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje