Ajaksi duket se po kthehet në kohët e tij të lavdishme. Skuadra e madhe holandeze ka bërë një mrekulli në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku ka fituar 1-4 dhe ka kaluar në çerekfinale të Champions League, duke nxjerrë jashtë gare pikërisht kampionët e Europës, Realin e Madridit. Në çerekfinale kalon edhe Totenhemi, që e fitoi edhe ndeshjen e kthimit me Borusian e Dortmundit, me rezultatin 0-1.
Ndeshja në Spanjë është dominuar nga Ajaksi, që ka dhuruar emocione me lojën e tij spektakolare dhe ka përmbysur humbjen 1-2 në fushën e tij dy javë më parë. I frymëzuar nga një Dushan Tadiç i papërmbajtshëm, ekipi holandez shëndoi dy gola të shpejtë me Ziesh dhe Neres. Reagimi i Realit nuk erdhi kurrë dhe Tadiç shënoi edhe golin e tretë në pjesën e dytë për Ajaksin. Marko Asensio shënoi për madrilenët në minutën e 70-të dhe në atë moment Realit i duhej edhe një gol për kualifikimin, por holandezët i dhanë goditjen përfundimntare me golin e Shone.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe për skuadrën spanjolle, që përveçse pësoi dy gola të shpejtë, humbi për shkak dëmtimi Lukas Vaskezin dhe Vinicius Xhunior. Trajneri Solari aktivizoi në vend të tyre Gereth Bejl dhe Marko Asensio. U ndje shumë mungesa e kapitenit Serxho Ramos, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna, pasi ishte i skualifikuar për shkak kartonësh. Paraqitje katastrofike e Realit dhe shkarkimi i trajnerit Solari duket vetëm një formalitet, ndërkohë që kampionët e Europës duket se kanë mbyllur një cikël.

Ndeshja tjetër mes Borusia Dortmund dhe Totenhemit ishte pa histori. Gjermanët, të cilët e kishin humbur 3-0 ndeshjen e parë në Londër, nuk arritën të bënin asgjë në “Signal Iduna Park”, ku pësuan një gol në fillimin e pjesës së dytë nga Herri Kejn dhe aty shpresat për kualifikim morën fund. Anglezët kalojnë në çerekfinale ndoshta me lehtë nga sa edhe vetë mund të kishin imagjinuar.
Ajaksit dhe Totenhemit, dy skuadrave të para të kualifikuara për në çerekfinale të Championsit, do t’u bashkohen të mërkurën edhe dy skuadra të tjera që do të dalin nga çiftet Porto-Roma dhe PSG-Mançester Junajtid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje