Futboll

Akord total me Mesin, francezët driblojnë edhe sanksionet financiare

Lionel Mesi pritet të mbërrijë në Paris për vizitat mjekësore dhe firmën, gjithçka është e kryer. Akordi është total, klubi francez ka kaluar çdo pengesë të mundshme, edhe atë financiare. Sigurisht, me pak kreativitet dhe fleksibilitet mes Ligës dhe UEFA-s. Llogaritë dalin, pavarësisht se bilanci pas një viti e gjysmë pandemi ka shkruar në pikiatë për botën e futbollit.

“L’Equipe” bën me dije se Mesi është një investim i justifikuar për klubin, që shpëton kështu nga sanksionet e “fair-play”-it financiar, të cilat i ka vuajtur në të kaluarën. Edhe në Francë, ashtu si në Spanjë, është në fuqi kufiri i 70%-shit për pagat. Nëse Barcelonës iu desh t’i nënshtrohej këtij rregulli, në Francë dhjetorin e kaluar, përballë rënies drastike të arkëtimeve nga ikja e sponsorëve dhe mbyllja e stadiumeve, është aprovuar një moratorium për disa vite. Kështu, PSG ka lirinë për të administruar totalin e pagave, që do të shtohet me 40 milionë eurot e Mesit.

Lionel Mesi në lot gjatë konferencës së shtypit. Gazeta Si, 10 gusht 2021

Edhe nga UEFA parashikohet më shumë tolerancë. Kontrollorët e “fair-play”-t financiar e kanë ndëshkuar në të kaluarën klubin parisien, duke e detyruar jo vetëm të çmontonte sponsorët e lidhur me Katarin, tashmë të pranishëm në kuota margjinale, por edhe me gjoba dhe limite për shpenzimet në merkato. Klubi francez ka ditur të rigjenerohet, falë të drejtave televizive dhe ristrukturimit të sponsorëve me shtrirjen e markës në nivel ndërkombëtar.

Blerja e Mesit, sipas vlerësimeve të para, do t’i rritë edhe më shumë llogaritë, me një shtim në masën 20% të të ardhurave komerciale dhe kjo do të ndihmonte për të qëndruar brenda normave të “fair-play”-it financiar. Tashmë rregullat janë më fleksibël dhe u japin klubeve më shumë kohë për të justifikuar humbjet e paparashikuara.

PSG gjithsesi duhet të bëjë disa shitje për të zbutur humbjet, që vlerësohen me 200 milionë. Duhen arkëtuar të paktën 150 milionë nga humbjet. Mbape nuk është në shitje dhe i pari në listën e atyre që pritet të ikin është Ikardi, i cili nuk bën pjesë te miqtë e Mesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë