Gazeta Si – Një aksident tragjik është regjistruar në periferi të Romës mesnatën e kësaj të premteje në Itali.
Tre djem dhe dy vajza të moshës 17 deri në 21 vjeç kanë humbur jetën, pasi makina me të cilën udhëtonin është përmbysur.
Mediat italiane shkruajnë se pesë të rinj po udhëtonin drejt Romës, ku makina “Fiat Cinquecento” humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë në qendër të fshatit Tor Lupara.
Një person i gjashtë që ishte në makinë u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas raportimeve të para, pesë viktimat ishin tre djem dhe dy vajza.
Djemtë sapo kishin dalë nga një klub në Via Nomentana ku kishin festuar ditëlindjen e njërës prej vajzave, e cila mbeti viktimë.
Prokuroria e Tivolit ka hapur një hetim. Ndërkaq në vitin 2007 në një tjetër aksident rrugor i ngjashëm i mori jetën pesë të rinjve të tjerë në Tor Lupara.
Sipas mediave, në fundjavën e tretë të janarit, (20-22 janar 2023), autoritetet kanë regjistruar 17 viktima nga aksidentet në rrugë në të gjithë Italinë, që po t’i shtohen edhe 5 të fundit, bilanci shkon në 22 vdekje brenda thuajse 10 ditësh.
Në 72 orë kanë humbur jetën 9 shoferë, një motoçiklist, katër këmbësorë, dy biçiklistë dhe një shofer kamioni.
Në autostradë nuk ka ndodhur asnjë aksident me fatalitet. Njëmbëdhjetë aksidente me vdekje janë shënuar në rrugët kryesore ekstraurbane.
Shpejtësia e mjetit pa përfshirje të palëve të treta ka qenë shkaku i katër aksidenteve me vdekje. Gjashtë nga 17 viktimat ishin nën moshën 35 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje