Partizani kampion dhe Kamza e përjashtuar janë dy gjërat që dihen me siguri për këtë kampionat, të tjerat do të mësohen sot, pas aktit të fundit të Superiores. Do të mësohet ekipi nënkampion, kush shkon në Europë dhe kush do të bjerë një kategori më poshtë.
Ndeshjet që paraqesin më shumë interes në javën e fundit të Superiores janë Tirana-Flamurtari dhe Kukësi-Kastrioti, sepse përcaktojnë ekipin e dytë që bie nga kategoria, por edhe edhe ekipin e vendit të dytë. Tiranës, pas fitores në fushën e Laçit pak ditë më parë, i mjafton edhe barazimi sot në “Selman Stërmasi” për të qëndruar në Superiore, kështu që është e favorizuar në raport me Kastriotin, që duhet të mundë Kukësin dhe të shpresojë te fitorja e Flamurtarit. Vlonjatët teorikisht luajnë për Europën dhe janë të motivuar, edhe pse përflitet se nuk janë licencuar për kompeticionet europiane.

Kukësi nuk do ta pranonte humbjen, sepse duhet të ruajë vendin e dytë në kampionat. Ekipi i trajnerit Gjoka kërcënohet nga Teuta, që pret Laçin në fushën e saj, por edhe nga Flamurtari. Skënderbeu nuk zbret sot në fushë, pasi duhej të ndeshej me Kamzën, sipas kalendarit. Korçarët e kanë mbyllur këtë kampionat me 55 pikë dhe shpresojnë që në finalen e Kupës së Shqipërisë të fitojë Kukësi, që ata të kenë mundësinë për të luajtur ne Europë me vendin e 4-t në kampionat, nëse KAS-i u jep të drejtë. Ndeshja me më pak interes është ajo që luhet në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Partizanit, ku i pari e ka siguruar qëndrimin në elitë dhe i dyti ka siguruar titullin kampion. Mendohet që dy skuadrat të zbresin në fushë me shumë lojtarë të rinj.
Kampionati do të japë sot verdiktet përfundimtare, por duhet theksuar se për skuadrat që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në Kupat e Europës do të ndikojnë finalja e Kupës së Shqipërisë dhe sigurisht licencimi. Të sigurt në Europë aktualisht janë Partizani dhe Kukësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje